Ende herët që të shuhet jehona e ceremonisë madhështore të ndarjes së çmimeve Oscar, më të rëndësishmet e kinematografisë e ku gjithçka shkoi shumë mirë, po të mos ishte për incidentin e dhunshëm me protagonist, Will Smith. Ai që u duk si një skeç i pafajshëm me nota humori nga ana e komedianit, Chris Rock dhe që në fillim u intepretua si i tillë nga të pranishmit e ata që ndoqën ceremoninë, u kthye në një incident të pakëndshëm, në një akt dhune. Smith, nuk e gëlltiti batutën për flokët e bashkëshortes, e cila vuan nga një sëmundje autoimune që shkakton rënien e tyre. Aktori iu drejtua skenës e nuk i rezistoi tundimit për t’i dhënë një shuplakë të fortë Rock-ut kur ky i fundit po prezantonte fituesin për kategorinë e dokumentarëve.
Will e paralajmëroi me fjalë të ashpra duke i kërkuar të mos ia përmendë gruan, ndërsa Chris u mundua ta kalojë me lehtësi këtë moment të vështirë dhe u mjaftua duke thënë:
Kjo është nata më e madhe në historinë e televizionit!
Por, tensionet ishin aty, madje edhe kur disa minuta më pas, në skenë u ngjit reperi Sean Combs dhe i sugjeroi dyshes që përplasjet t’i zgjidhin në afterparty.
Will Smith u ngjit përsëri në skenë, por tashmë me një qëndrim tjetër. I vlerësuar me Oscar si aktori më i mirë në rolin e Richard Williams-it, babait të tenisteve Venus e Serena, në filmin “King Richard”, Will u shfaq dukshëm i emocionuar dhe kërkoi falje për atë që ndodhi, por ndjesa nuk ishte për Chris Rock.
I kërkoj falje Akademisë dhe të tjerëve që kandidojnë. Ky është një moment shumë i bukur e nuk po qaj sepse fitova një Oscar. Jeta imiton artin, dashuria të shtyn të bësh çmendurira! Richard ishte një mbrojtës i egër i familjes së tij.
Ndërkohë, Chris Rock nuk ka bërë denoncim në polici për atë që ndodhi me Will Smith, të paktën deri tani, pra Will nuk do të arrestohet për episodin e parë nga miliona njerëz në botë. Por, Rock ka 6 muaj kohë që të ndryshojë mendim. Në rast denoncimi, fituesi i Oscar-it mund të dënohet deri në 6 muaj burg dhe gjobë deri në 100 mijë dollarë.
As Akademia nuk qëndroi indiferente e dënoi dhunën, në një reagim në përfundim të ceremonisë që në Shqipëri u transmetua live në Top Channel.