Aktualitet Rajoni

Incidenti me presidenten Osmani, reagon kompania që menaxhon Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit!

Kompania TAV, e cila menaxhon me Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ka reaguar në lidhje me incidentin e mbrëmshëm me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, të cilës, sipas Presidencës, tentuan t’i merrnin celularin.

Në një deklaratë, kompania, shprehet se ka detyrim ligjor të kryejë kontroll sigurie të të gjithë pasagjerëve, bagazheve dhe mallrave në fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit. Sipas TAV, bagazhet e presidentes Osmani janë kontrolluar në sallonin VIP të aeroportit.

“Në përputhje me Ligjin për Aviacion dhe rregulloren ligjore ndërkombëtare në lidhje me sigurimin e aviacionit civil, TAV Maqedoni, si operator aeroporti, ka obligim ligjor që të kryejë një kontroll sigurie të të gjithë pasagjerëve, bagazheve dhe mallrave në fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit dhe nga Aeroporti ‘Sveti Apostol Pavle Ohër’, duke përfshirë pasagjerët që udhëtojnë nëpër sallonin VIP. Prandaj, Departamenti i Sigurisë i TAV Maqedoni, në kuadër të kompetencave të veta, ka bërë kontroll standard të sigurisë së pasagjerit të përmendur si dhe bagazhit të tij, në pikën e kontrollit të sigurisë në sallonin VIP, për të siguruar fluturimin specifik komercial”.

TAV Maqedoni thotë se siguria e udhëtarëve nuk është cenuar.

“Duam të theksojmë se siguria e aviacionit nuk është kërcënuar, sepse ngjarja e përmendur ka ndodhur në hapësirën publike të aeroportit, pra përballë pikës së kontrollit të sallës së VIP-ave, nga ku pasagjerët VIP, pasi janë kontrolluar nga Sigurimi, dërgohen në zonën e kontrolluar nga aeroporti. Gjithashtu duam të theksojmë se salla e VIP-ave është një ndërtesë e veçantë e izoluar nga ndërtesa kryesore e terminalit të Aeroportit të Shkupit, që do të thotë se nuk është e saktë se është cenuar siguria e udhëtarëve”.

Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, u shpreh mbrëmjen e kaluar se një zyrtar i aeroportit tentoi të shtynte fizikisht presidenten dhe më pas pala maqedonase mori çantën personale të saj.

“Ekipi i presidentes i shpjegoi rregullat zyrtarit të aeroportit, por ai tentoi fizikisht ta shtyjë presidenten, çka detyroi Policinë e Kosovës të ndërhyjë për ta hapur rrugën. Kjo sjellje është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave krerët e shtetit mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike”, tha Kupina.

Sipas Kupinës, kishte një tendencë për të provokuar delegacionin e Kosovës dhe se pas incidentit, Aeroporti i Shkupit nuk lejoi aeroplanin komercial të nisej për më shumë se një orë, me pretekstin se shteti slloven nuk po e lejonte nisjen.

“Kabineti i residentes e kontaktuar palën sllovene, e cila e mohoi këtë informacion,” tha Kupina, duke shtuar se presidenca e konsideron çdo trajtim të tillë si një sulm ndaj vetë shtetit të Kosovës. “Republika e Kosovës asnjëherë nuk ka trajtuar në këtë mënyrë presidentët e vendeve të tjera dhe nuk do ta lejojë një situatë të tillë”, tha ai.

Një skandal i paprecedentë diplomatik ka ndodhur pasditen e djeshme në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pasur konfrontim me sigurimin e aeroportit, të cilët kanë tentuar t’i marrin edhe celularin. Osmani më pas ka kërkuar ndihmë nga kryetari i parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i cili ka dërguar në aeroport sigurimin e tij.

Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina ka thënë se në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar t’i marrë telefonin personal presidentes.