Mungesa e bulonave që sigurojnë panelin në kornizën e avionit “Boeing 737 Max 9” mund të jetë shkaku i shkëputjes së derës në avionin e kompanisë “Alaska Airlines” muajin e kaluar. Kjo sipas grupit që po kryen hetime. Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit publikoi një raport paraprak mbi aksidentin e 5 janarit.
Në raport përfshihet një foto nga kompania Boeing, e cila prodhoi panelin e ku shihet se mungojnë tre nga katër bulonat që pengojnë lëvizjen e këtij paneli. Vendndodhja e bulonit të katërt nuk shihet.
Hetuesit thonë se mungesa e dëmtimeve rreth panelit tregon se të katër bulonat mungonin përpara se avioni të nisej nga Portlandi i Oregonit. Pilotët u detyruan të bënin një ulje urgjente me një vrimë në anën e avionit. Mungesa e bulonave bëri që paneli të shkëputej nga korniza e avionit.
Raporti paraprak tregon se pajisja që mbyll portën e avionit, e instaluar nga kompania e furnizimit “Spirit AeroSystems”, mbërriti në fabrikën Boeing pranë qytetit Seattle me pesë pjesë të dëmtuara. Ekipi i kompanisë Boeing i zëvendësoi pjesët e dëmtuara, proces i cili kërkonte heqjen e katër bulonave në fjalë.
Ekspertët e sigurisë kanë thënë se aksidenti mund të kishte patur pasoja katastrofike nëse avioni do të arrinte lartësinë e duhur të fluturimit. Ulja e presionit në mjetin fluturues pas shkëputjes së panelit do të kishte qenë e lartë e pasagjerët dhe ekuipazhi mund të mos kishin qenë në karrige me rrip sigurimi.
Megjithëse raporti paraprak vuri në dukje rolin e firmës Spirit në atë që ndodhi, shefi i Boeing-ut, David Calhoun, javën e kaluar, tha se kompania e tij mban përgjegjësitë.
Dua që të gjithë ta dinë se Boeing-u i mban përgjegjësitë. Ne zotërojmë zinxhirin tonë të furnizimit dhe firmën Spirit. Ne jemi përgjegjës për rezultatet e punës sonë.
Ndërkaq, incidenti ka shtuar pikëpyetjet në lidhje me cilësinë e prodhimit të avionëve Boeing. Administrata Federale e Aviacionit po heton nëse kompania Boeing dhe furnitorët e saj kanë ndjekur procedurat e duhura të sigurisë në prodhimin e pjesëve për modelin e avionit Max.
Agjencia amerikane e ka ndaluar Boeing-un që të përshpejtojë prodhimin e modelit 737 deri kur agjencia të jetë e kënaqur me cilësinë e prodhimit e ta vlerësojë pozitivisht.