Aktualitet

Inceneratori i Elbasanit, SPAK kërkon 10 vjet burg për Lefter Kokën e 4 për Alqi Bllakon!

Inceneratori i Elbasanit, jepet pretenca. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK kërkon që ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka të dënohet me 10 vjet burg. Ai akuzohet për “Shpërdorim detyre”, “Pastrim parash” dhe “Korrupsion”. Për Alqi Bllakon, ish-sekretar i Përgjithshëm i dikasterit të Mjedisit, Prokuroria e Posaçme kërkoi 4 vite heqje lirie. Nga 10 vjet burg për secilin u kërkua nga SPAK-u për Klodian Zoton e Mirel Mërtirin, si dhe 7 vite për Stela Gugalljan.

Nëse gjykata pranon pretencën, Lefter Koka do të vuante dënimin me 6 vjet e 8 muaj burg për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Kërkesat e SPAK-ut dhe përfitimet nga gjykimet e shkurtuara nëse pranohen:

Lefter Koka, SPAK kërkon 10 vite, përfiton 6.8 me gjykim të shkurtuar

Alqi Bllako 4 – 2.8 nga gjykimi i shkurtuar

Serafin Papa 4 vjet

Pëllum Abeshi 4 vjet

Jonida Zeqo 4 vjet

Bardhyl Çabiri 4 – 2 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar

Mirel Mërtiri 10- 6 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar

Stela Gugallja 7- 4 vjet e 8 muaj me gjykim të shkurtuar

Klodian Zoto 10 – 6 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar

Avokati i Lefter Kokës, Saimir Vishaj tha se SPAK-u ka kaluar në ekstremitet, sipas tij, “për një vepër penale që nuk ekziston”. Vishaj u shpreh se “nuk mund që të presësh me thikë masat dhe për fajtorin e për atë me rol dytësor”.

Eshtë rasti i parë që kërkon 10 vite burg. Akuzohen për abuzim me detyrën dhe është për t’u habitur me qëndrimet e ndryshme. Ka kaluar në ekstremitet për një vepër penale që nuk ekziston. Nuk mund të presësh masat e dënimit duke u dhënë nga 4 vite burgim. Kjo është një çështje politike që prej fillimit. Shpresoj që Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë të mos bjerë në këtë nivel. Nuk mund që të presësh me thikë masat, si për atë që është fajtor dhe për atë që ka rol dytësor.