Aktualitet

Inceneratori i Elbasanit/ SPAK i kërkon Apelit dënim për Alqi Bllakon dhe Lefter Kokën!

SPAK kërkon në Apelin e Posaçëm të GJKKO-së, ndryshimin e vendimit të Shkallës së Parë, që shpalli të pafajshëm për akuzën “shpërdorim detyre” ndaj ish-deputetit socialist, Alqi Bllako për çështjen e inceneratorit të Elbasanit. Po ashtu, ndryshim është kërkuar edhe për vendimin ndaj ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka.

Në seancën që u zhvillua në Apel pas dështimit disa mujor, prokurorët Klodian Braho dhe Arben Kraja kërkuan që Bllako të dënohet me 4 vite burg, në përfitim të gjykimit të shkurtuar 2.8 vite burg.

Ndërsa për Kokën, kërkuan t’i shtohet edhe akuza për “shpërdorim detyre”. Ish-ministri është dënuar në Shkallën e Parë Antikorrupsion me 5 vite e 8 muaj burg me gjykim të shkurtuar.

Edhe për inceneratorin e Fierit, ende nuk ka zhvillime në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, duke bërë që vendimi të mos marrë formë të prerë.

Nga ana tjetër, Bllako vijon të qëndrojë në qeli për shkak të dënimit të tij për inceneratorin e Fierit me 2.8 vite burg.

Gjithashtu ndaj tij vijon të jetë në fuqi një tjetër masë sigurie “arresti në burg” për inceneratorin e Tiranës. Në tetor të 2023, GJKKO dënoi në total me 33 vite burg të pandehurit për aferën e inceneratorit të Elbasanit.

Në tetor 2023, GJKKO dënoi në total me 33 vite burg të pandehurit e kësaj çështjeje, përkatësisht me 5.8 vite ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka për korrupsion e shpërdorim detyre.

Kokës iu konfiskuan një pjesë e aksioneve në kantinën e pijeve në Durrës, në vlerën e korrupsionit të kryer, 3.7 milionë euro.

Ndërsa biznesmeni Klodian Zoto, i shpallur në kërkim, u dënua me 10 vite burg, duke përfituar zbritje në 6.8 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Të njëjtën masë dënimi gjykata dha edhe ndaj biznesmenit tjetër Mirel Mertiti, edhe ky i shpallur në kërkim.

Ndërkohë Stela Gugallja, administratore në inceneratorin e Elbasanit, u dënua me 7 vjet heqje lirie, por me gjykim të shkurtuar përfitoi zbritjen në 4.8 vjet.

Me 4 vjet burg u dënua Pëllumb Abeshi, ish-kryetar i Komisionit të Shpronësimit, por me gjykim të shkurtuar do të vuaj 2.8 vjet, ndërsa për anëtarin e komisionit Bardhyl Cabiri, GJKKO dha 2 vjet burg.

Për anëtaren Jonida Zeqo 4 vjet, por nga gjykim i shkurtuar i zbriti në 2.8 vjet burg. 1.4 vite u dënua ish-anëtari tjetër i komisionit, Serafin Papa, teksa i shuhet masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, pasi ka përfunduar koha e dënimit gjatë qëndrimit në burg.