Shqiptarët po konsumojnë më shumë ilaçe.
Sipas Institutit të Statistikave, INSTAT, vendi ynë e ka shtuar importin e medikamenteve. Në 4 muajt e parë të këtij viti importi u rrit më 23% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Arsyet mendohet se janë plakja e popullsisë dhe barra e sëmundjeve, por ekspertë të farmaceutikës nuk mendojnë se situate është alarmante.
“Ne bëjmë lidhje të shkurtër, që kur përmendim sektorin farmaceutik, mendja na shkon menjëherë tek bari apo ilaçi. Por jo, ne kemi një ligj barnash dhe të pajisjeve mjekësore. Pajisjet mjekësore përfshijnë gjithë sektorin shëndetësor, përfshijnë klinika mjekësore dhe stomatologjike, spitale të shpërndara të gjitha këto në sektorin publik dhe privat. Përveç këtyre përfshihen barnat dhe suplementet. Kështu që nuk duhet bërë kjo lidhja e shkurtër shkak-pasojë, pra nëse rritet importi në sektorin farmaceutik, patjetër që ka ndryshuar sëmundshmëria. Së dyti, ne kërkojmë zhvillim dhe zhvillimi është të tentosh të sjellësh fjalën e fundit dhe këtu po ndalem tek aparaturat, të cilat përkthehen në një kosto jo të vogël.
Ne e pranojmë të tërë rritjen e jetëgjatësisë, e kjo nuk është rastësi, por si rezultat i kujdesit që tregohet për diagnoza të ndryshme. Po diagnozat a kanë mbetur me të njëjtat skema mjekimi siç kanë qenë vite më parë. Jo. Nëse për trajtimin e hipertensionit arterial, kur unë isha e sapo diplomuar ka pasur 3 skema mjekimi, sot ka me dhjetëra skema mjekimi, e këto gjithashtu janë kosto të shtuara. Pandemia e Covid-19 shkaktoi dëme dhe pasoja që sot njihen nga ne, atëherë kur ka dhënë dëme e pasoja këto duhen trajtuar”, u shpreh presidentja e Urdhrit të Farmacistit Diana Toma.