Në mënyrë shumë të qartë, ditët e fundit, Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) është ankuar për dhunën dhe ngacmimin e përhapur në mjediset e punës. Në një anketë të zhvilluar me punonjës nga shumë vende të botës, pothuajse 23 për qind prej tyre deklaruan se janë sulmuar psikologjikisht, fizikisht ose seksualisht në vendin e punës.
Sipas studimit, të cilin organizata speciale e OKB-së e përgatiti së bashku me fondacionin shkencor britanik Lloyd’s Register Foundation dhe me institutin e kërkimit të opinionit Gallup, vetëm gjysma e viktimave i ka treguar dikujt për këto gjëra, pra i kanë treguar bashkëshortëve apo bashkëshorteve të tyre.
Të tjerë mendonin se ishte një “humbje kohe” nëse merren më tej me këto akte. Në të tjera raste kanë patur frikë për reputacionin e tyre në vendin e punës, si edhe në shoqëri. Ndërkohë, forma më e shpeshtë e sulmeve ishte dhuna psikologjike dhe ngacmimi seksual. Nga anketa rezulton se:
Rreth 18 për qind e të anketuarve përjetuan fyerje, ngacmim ose frikësim. Dhuna fizike, si rrahja apo pështyrja, u rendit në vendin e dytë me 8,5 për qind. Rreth gjashtë për qind raportuan sulme seksuale, duke filluar me komente e po ashtu fjalë të turpshme.
“E dhimbshme”
Më shumë se tre nga pesë viktima raportuan se në mënyrë të përsëritur kishin përjetuar sulme dhe ngacmime të ngjashme në punë. Zëvendësdrejtoresha e përgjithshme e ILO-s, Manuela Tomei në Gjenevë deklaroi:
Eshtë e dhimbshme të mësosh se njerëzit përballen me dhunë dhe ngacmime jo vetëm një herë, por disa herë në jetën e tyre të punës.
Ky studim bazohet në anketat e kryera vitin e kaluar, me gati 75 mijë punonjës të moshës 15 vjeç e më shumë. Anketa është kryer në 121 vende e rajone të ndryshme të botës. Sipas ILO-s, ky është sondazhi i parë i këtij lloji, me përmasa kaq të mëdha.