Aktualitet

Ilir Proda në krye të Policisë së Shtetit, miratohet nga qeveria!

Në mbledhjen e sotme, qeveria miratoi propozimin e ministrit të Brendshëm për Ilir Prodën në krye të Policisë së Shtetit. Pas mbledhjes së ekzekutivit, Ervin Hoxha tha:

Kandidati i cili u emërua sot do të jetë në krye të policisë dhe menjëherë do të hapim konkurimin për drejtuesit e policive në qarqe.

Fakti që të gjitha organet ligjzbatuese u pyetën në një kohë rekord dhe përgjigjja e tyre ishte shumë e shpejtë, kandidaturat janë verifikuar nga ¢do organ ligjzbatues e pastërtia e tyre është në përputhje të plotë me ligjin. Ky proces konsiderohet transparent, integrues dhe drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i ka kaluar këto etapa të verifikimit.

Dy ditë më parë, Ervin Hoxha propozoi kryepolicin e Elbasanit. Kjo pasi Komisioni Ad-Hoc përfundoi vlerësimin me sistemin e pikëve, duke dorëzuar listën e 11 emrave kandidatë për pasues të të dorëhequrit Muhamet Rrumbullaku. Më tej, lista u selektua në 5 më kryesorët me më shumë pikë dhe dikasteri njoftoi renditjen sipas rendit alfabetik. Proda ka karrierë 19 vjeçare në radhët e uniformave blu.

Në njoftimin e 30 shtatorit thuhej: 

Në mbështetje të ligjit Nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, si dhe Udhëzimit të Ministrit të Brendshëm Nr. 160, datë 2.9.2024 “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për përzgjedhjen e kandidatit për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”, Ministria e Brendshme shpalli thirrjen publike për aplikim për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Komisioni i Posaçëm i ngritur sipas parashikimit të të njëjtit ligj, zhvilloi seanca dëgjimore me qëllim vijimin e procesit të vlerësimit për 11 kandidatët e kualifikuar, sipas kritereve të këtij procesi. Seancat dëgjimore u ndoqën nga misionet partnere pranë Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, ICITAP dhe EU4LEA, në rolin e vëzhguesit të procesit.

Komisioni i Posaçëm kreu verifikimin e pastërtisë së figurës për të gjithë kandidatët e kualifikuar, duke kërkuar të dhënat përkatëse nga organet ligjzbatuese si vijon: Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Prokuroria e Përgjithshme, Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH),  Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (DPPSH), Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), Agjencia e Informacionit të Sigurisë së Mbrojtjes (AISM).

Në fund të këtij procesi, ditën e premte 27.09.2024, Komisioni i Posaçëm i dorëzoi në bazë të ligjit Ministrit të Brendshëm listën me 5 kandidatët më të vlerësuar, paraqitur si më poshtë sipas rendit alfabetik:

•    Z. Altin Mena
•    Z. Ardian Çipa
•    Z. Ilir Proda
•    Z. Neritan Nallbati
•    Z. Skënder Hita

Ministri i Brendshëm do t’i përcjellë Këshillit të Ministrave, si kandidat për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z. Ilir Proda dhe vendimi i Qeverisë për këtë kandidaturë do të merret në mbledhjen e radhës.