Me urdhër të SPAK-ut, sot Ilir Meta u arrestua te Kthesa e Kamzës pas kthimit nga Kosova e ndërsa po i drejtohej selisë së Partisë së Lirisë ku kishte paralajmëruar një konferencë shtypi në orën 13:40. Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH që ndaluan makinën në rrugë e tërhoqën zvarrë.
Ndërkaq, krahas arrestimit të Ilir Metës e masës “Detyrim për paraqitje” ndaj Monika Kryemadhit, u dhanë edhe dy masa sigurie për ish-kreun e AKEP-it Pirro Xhixho dhe Ema Çokun, respektivisht në “Arrest shtëpie” dhe “Detyrim për paraqitje”.
Reagoi Monika Kryemadhi, e cila në një postim flet për “persekutim nga drejtësia” dhe thekson se ende nuk ka dijeni për masë sigurie ndaj saj e Metës, të cilit i referohet si “babai i fëmijëve të saj”.
Të dashur gazetarë për të cilët kam shumë respekt dhe që sot po raportoni lajme të servirura nga propaganda e qeverisë për sulmet e radhës të drejtësisë ndaj opozitës shqiptare.
Unë ende nuk kam marrë dijeni mbi një vendim gjykate që do të vendoste masa sigurie mbi mua apo babain e fëmijëve të mi.
Sapo të njoftohem për këto vendime të drejtësisë do të përgjigjem me të gjitha hapat ligjore dhe publike.
Persekutimi nga drejtësia si armë ndaj kundërshtarit politik, si dhe gjyqi publik që po na bëhet, nuk ndalon opozitën në betejat pa kompromis për të mbrojtur interesin publik.
Duke nisur nga Inceneratorët dhe deri tek çdo betejë tjetër të drejtë, që po luftojmë për shqiptarët.
Në të dytën deklaratë për gazetarët sot, pas arrestimit të Ilir Metës, Tedi Blushi nga Partia e Lirisë shpërtheu ndaj kreut të SPAK-ut, Altin Dumani dhe për mënyrën e ndalimit të kryetarit të kësaj partie.
Akt i mirëfilltë terrorist nga Altin Dumani, akt kriminial dhe i paligjshëm nga struktura kriminale. Rrëmbim në mes të ditës pa u identifikuar. Do t’i përgjigjemi Dumanit dhëmb për dhëmb. Dumani është xhelat, vrasës me pagesë.
Ish-ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin reagoi pas arrestimit të Ilir Metës. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Vlahutin tha se nuk ka të paprekshëm e se “ky është dhe një mësim i madh për këdo që do ligjin dhe rregullin”. Arrestimit të Ilir Metës po i bëhet jehonë edhe në mediat e huaja.