Aktualitet Politikë

Ilir Meta në SPAK: Do flas kur të dal!

Prej mbi 40 minutash, Ilir Meta gjendet në SPAK ku u paraqit rreth orës 10:15 minuta të mëngjesit. Ende nuk dihen arsyet e pranisë së kryetarit të Partisë së Lirisë në mjediset e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Mund të jetë thirrur nga prokurorët për të dëshmuar ose ndonjë kallëzim të ri.

Ndërsa hynte në godinën e SPAK-ut, ish-Presidenti i Republikës iu tha gazetarëve se në transparencë të plotë do të flasë për mediat kur të dalë. Shkurtimisht u shpreh:

Kam sjellë me dhjetëra denoncime këtu, me firmë, me vulë në SPAK, prandaj kam ardhur me shumë kënaqësi. E kam thirrur disa herë SPAK-un që të veprojë kundër korrupsionit.

Nuk përjashtohet që Ilir Meta të jetë thirrur si person që ka dijeni për çështjen e inceneratorëve, për të cilin Partia e Lirisë ka bërë disa denoncime. Nga ana tjetër, ndaj tij gjithashtu ka kallëzime.

Ndaj Ilir Metës ka dy kallëzime nga ish-deputeti Halit Valteri. Një prej tyre lidhet me lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vlerë 690 mijë dollarë, para’ të padeklaruara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve apo në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive, ILDKP. Kallëzimi tjetër ka të bëjë me krijimin e një skeme të mirëfilltë të pastrimit të parave që rrjedhin nga korrupsioni dhe vjedhja e pasurive publike.