Në Gjykatën e Posaçme zhvillohet sot seanca për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, Monika Kryemadhin, Piro Xhixhon dhe Ema Çokun. Seanca nis në 09:30, ndërsa i pranishëm është edhe ish-presidenti Ilir Meta.
Meta doli nga Blloku i Sigurisë dhe mbërriti në ambientet e Gjykatës së Posaçme me furgon dhe i shoqëruar nga dhjetëra forca policie. Ndaj tij është caktuar masa arrest me burg.
Ndërkohë, në Gjykatë mbërriti edhe ish-kreu i AKEP, Piro Xhixho, ndaj të cilit është caktuar masa arrest shtëpie. Ai u paraqit në GJKKO i shoqëruar nga një efektiv.
SPAK arrestoi më 21 tetor 2024 kreun e Partisë Ilir Meta, nën akuzë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj Monika Kryemadhit.
Ndaj Piro Xhixhos, babai i Erisa Xhixhos, rëndon akuza korrupsion pasiv. Sipas SPAK ai dyshohet se ka shfrytëzuar autoritetin e tij si Kryetari i AKEP-it, ku u propozua nga LSI-ja, dhe në zbatim të porosive të marra nga Meta dhe Kryemadhi ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes, si dhe ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP.
Ndërsa ndaj Ema Çokut rëndon akuza e pastrimit të parave. Çifti Meta-Kryemadhi akuzohen se ndër vite kanë ushtruar pushtetin e tyre për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme dhe kanë fshehur burimin e tyre duke përdorur edhe familjarët. 2 dosjet ndaj Metës, Cez-Dia dhe lobimi në SHBA janë bashkuar tashmë në 1 hetim.