Episodi i sotëm në “Dita e 8” ka qenë tepër i veçantë, pasi shënon mbylljen e një sezoni të suksesshëm të një programi në të cilin janë trajtuar tema interesante, të rëndësishme e shumë të ndjera. Edhe ditën e sotme sigurisht nuk mund të mungonte trajtimi i një teme shumë delikate sociale, çështja e jetimit, çështja e jetimit shqiptar.
I ftuar në këtë episod ishte një person që e di më së miri çështjen e jetimëve dhe i njeh problematikat e tyre. Bëhet fjalë për Ilir Çumanin, Drejtorin e Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve i cili trajtoi problematikat e tyre dhe na njohu sadopak me mënyrën si ka ndryshuar ky trajtim ndër vite.
Çumani shpjegon se jetimët janë kudo mes nesh në institucione dhe në mjedisin ku ne ndodhemi. Ai u shpreh se shoqëria shqiptare është një shoqëri që mbart vlerat e humanizmit, por disa gjëra kanë ndryshuar ndër vite. Drejtori i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve shprehet se para vitit 1990 gjërat kanë qenë ndryshe, teksa jetimët trajtoheshin me dinjitet. Ai shpjegon se dikur ata kanë qenë në qendër të vëmendjes, dhe pasi mbushnin 18 vjeç kishin një punë dhe një strehim të garantuar.
Ndërkohë, ditët e sotme, pas viteve 1990, Çumani nxjerr në pah disa problematika që janë shfaqur. Kjo ka ndodhur për shkak të ndërrimit të sistemit në vendin tonë, duke shkaktuar kështu, shmangien e vëmendjes nga jetimët. Sistemi ekonomik ndryshoi dhe të gjithë përpiqeshin të mbijetonin. Individi duhet t’ia dilte vetë tanimë, ndërkohë që shteti ishte inekzistent në ndihmën ndaj jetimëve.
Një episod shumë dinamik, teksa Çumani sjell tërë këto problematika që detyrohen të përballojnë të vetëm jetimët. Madje të gjithë 18-vjeçarët të cilët nuk i kanë prindërit duhet të përballen me botën të vetëm, duke rrezikuar kështu të bien pre e rreziqeve dhe krimeve.
Kjo ishte tema e fundit e këtij sezoni te “Dita e 8”, teksa u trajtua një problem që me siguri duhet të gjejë zgjidhje. Çumani u përpoq të ngrejë këtë problematikë duke shfaqur kështu realitetin e ashpër në vendin tonë, me qëllimin e vetëm, të tërheqë sadopak vëmendjen e shtetit dhe njerëzve në komunitet për të trajtuar përsëri jetimët me dinjitet!