Gazetarja e njohur Ilda Lumani iu bashkua sot “Live From Tirana” për të folur për ikjen e një njeriu të madh siç ishte Guljelm Radoja.
Aktori i mirënjohur i popullit u shua ditën e djeshme në moshën 75-vjeçare si pasojë e COVID-19. Përreth një muaj ai ishte i shtruar në spitalin e Durrësit e më pas u transportua tek “Shefqet Ndroqi” në Tiranë ku hyri në intubim. Gjatë kësaj kohe, të shumta ishin thirrjet e kolegëve dhe miqve të tij aktorë të cilët iu drejtuan qeverisë që të marrë masat për kurimin e tij jashtë shtetit.
Edhe aktori i famshëm i kinematografisë shqiptare, Mevlan Shanaj ditën e kaluar dha një intervistë ku u shpreh se Radoja nuk e humbi jetën për shkak të virusit por për shkak të pakujdesisë të treguar nga spitalet në Shqipëri.
Thënë kjo, Ilda shprehu keqardhjen e saj se një aktor si Guljelm Radoja nuk mori atë që meritonte. Ai ishte një artist i merituar të cilit para shumë vitesh duhet të paktën t’i kishin dhënë titullin, “Mjeshtër i madh”, që sipas saj e kanë marrë lehtësisht disa ‘artistë tallavaje’ e jo një aktor kaq i rrallë si Guljelm Radoja me një karrierë 30-vjeçare në kinematografinë shqiptare.
Ndiej shumë keqardhje për mënyrën se si iku! Kanë marrë titullin ‘Mjeshtër i Madh” disa aktorë 35-40-vjeçarë të cilët sapo i kanë hipur skenës, disa ‘artistë tallavaje’. Kjo është e turpshme. Unë kam shkruar dhe kam reaguar për këtë që në kohën kur President ishte Bujar Nishani dhe tituj të tillë jepeshin kaq lehtë për njerëz që nuk i njihte askush. Më vjen keq që ne jemi një popull që japim lajka dhe nuk mbajmë qëndrime për situata të tilla.