Ilaçet që përdoren për humbjen e peshës, mund të ulin rrezikun për zhvillimin e kancerit të zorrëve. Studiuesit në Universitetin Case Western Reserve në Ohio kanë zbuluar se ilaçet kundër diabetit të tipit 2, si Ozempic, të cilat përdoren gjithashtu për humbje peshe, mund të parandalojnë sëmundjen vdekjeprurëse. Madje nga këto barna mund të përfitojnë edhe njerëzit që nuk janë me mbipeshë.
Të quajtur agonistë të receptorit peptid-1 të ngjashëm me glukagonin (GLP-1 RA), këtoi ilaçe zakonisht injektohen dhe trajtojnë diabetin e tipit 2 duke përmirësuar nivelet e sheqerit në gjak dhe ndjeshmërinë ndaj insulinës. Ato ndihmojnë gjithashtu në menaxhimin e peshës, gjë që e çoi kompaninë farmaceutike Novo Nordisk të zhvillojë ilaçin për humbje peshe Wegovy pas suksesit të trajtimit të diabetit me Ozempic. Studimi me 46.000 pacientë me diabet, zbuloi se kishte 94 raste të kancerit të zorrëve në mesin e gjysmës që merrnin injeksione, krahasuar me 167 në gjysmën që nuk merrnin një reduktim prej 44%.
“Për njohuritë tona, ky është treguesi i parë që kjo klasë popullore e barnave redukton incidencën e kancerit kolorektal”,-është shprehur profesor Rong Xu, njëri nga autorët e studimit. Të qenit me mbipeshë rrit rrezikun e zhvillimit të diabetit, si dhe llojeve të ndryshme të kancerit. Por, pirja e duhanit, pirja e alkoolit, ngrënia e mishit të përpunuar dhe mungesa e fibrave të mjaftueshme, gjithashtu mund t’ju vënë në rrezik.
Injeksionet, si Ozempic, janë rritur në popullaritet sepse largojnë urinë dhe ndihmojnë në humbjen e shpejtë të peshës, ndërsa ulin nivelet e sheqerit në gjak. Mirëpo, studimi i publikuar në JAMA Oncology tregoi se mund të përdoren për të zvogëluar rrezikun e zhvillimit të kancerit të zorrëve dhe kanceret e tjera të lidhura me obezitetin dhe diabetin në të ardhmen duke përfshirë kancerin e gjirit, mitrës dhe veshkave. Injeksionet kishin “efekte më të thella” te pjesëmarrësit mbipeshë. Shkencëtarët gjithashtu ekzaminuan nëse ilaçet e tjera të njohura të diabetit të tipit 2 kishin të njëjtin efekt parandalues.
“Rezultatet tona tregojnë qartë se RA-të GLP-1 janë dukshëm më efektive se ilaçet e njohura, si metformina ose insulina, në parandalimin e zhvillimit të kancerit të zorrëve. Kërkimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për reduktimin e incidencës së kancerit kolorektal te pacientët me diabet, pavarësisht nëse janë ose jo me mbipeshë dhe obezë”,-është shprehur autori tjetër, Nathan Berger. Shumë njerëz kanë diabet të tipit 2 pa e kuptuar, pasi jo gjithmonë i bën njerëzit të ndihen keq. Simptomat mund të përfshijnë etje gjatë gjithë kohës, ndjenja e lodhjes, humbja e peshës pa u përpjekur, kruarje rreth penisit apo vaginës, plagët kërkojnë më shumë kohë për t’u shëruar, shikim i turbullt.