Verën e kaluar, mjekët në Mass Eye and Ear vunë re një numër jashtëzakonisht të lartë pacientësh me neuropati optike ishemike anteriore jo-arteritike, NAION, një lloj goditjeje në sy që shkakton humbje të papritur të shikimit pa dhimbje në njërin sy. Raste të tilla janë të rralla. 10 në 100.000 njerëz mund ta përjetojnë atë, por mjekët vunë re tre raste brenda një jave dhe secili prej tyre përdorte medikamente për diabetin ose obezitetin.
Një vështrim pas në të dhënat mjekësore gjatë gjashtë viteve të fundit, tregoi se njerëzit me diabet kishin më shumë se katër herë më shumë gjasa për t’u diagnostikuar me NAION nëse merrnin një semaglutide me recetë dhe ata që ishin mbipeshë ose obezë kishin mbi shtatë herë më shumë gjasa të përjetonin sëmundjen nëse po merrnin mjekimin. Novo Nordisk, prodhuesi i medikamenteve të vetme semaglutide në SHBA, theksoi se të dhënat në studimin e ri nuk janë të mjaftueshme për të vendosur një lidhje shkak-pasojë midis përdorimit të ilaçeve semaglutide dhe NAION.
“Siguria e pacientëve është një përparësi kryesore për Novo Nordisk dhe ne i marrim shumë seriozisht të gjitha raportet në lidhje me efektet anësore nga përdorimi i ilaçeve tona”-shkroi një zëdhënës i kompanisë në një email për CNN. Ekspertët pajtohen që rreziku i mundshëm i NAION nuk duhet të pengojë përdorimin e medikamenteve semaglutide për trajtimin e diabetit ose obezitetit. Ndërkohë, mënyrat se si semaglutidet ndërveprojnë me sytë nuk janë kuptuar plotësisht.
Ndryshimet në nivelet e sheqerit në gjak mund të ndikojnë në shikimin. Etiketat e miratuara nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave të SHBA për Ozempic dhe Wegovy rendisin ndryshime të shikimit te efektet anësore të mundshme dhe Novo Nordisk po heton rastet. Ndërkaq, një injeksion për humbje peshe mund të zvogëlojë rrezikun e sulmeve në zemër me 20%.
Personat që morën medikamentin semaglutide kishin një rrezik 20% më të ulët të sulmit në zemër, goditjes në tru ose vdekjes për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare. Studimi i paraqitur në Kongresin Evropian të Obezitetit (ECO) dhe i udhëhequr nga studiues në University College London zbuloi gjithashtu se personat që morën semaglutide kishin përfitime kardiovaskulare, pavarësisht nga pesha e tyre fillestare ose sasia e peshës që kishin humbur.