Së fundmi, thuhet lart e poshtë se aktori që do të interpretojë James Bond-in e ardhshëm, në filmin e rradhës do të jetë Idris Elba. Edhe pse mediat britanike zbulojnë se Elba është në bisedime e sipër me producentët e filmit, thuhet ndër të tjera se atij nuk i është ofruar roli i protagonistit por antagonistit. 49-vjeçari e ka pranuar edhe vetë më parë se nëse do t’i vinte një propozim për të luajtur agjentin 007, do të pranonte pa asnjë hezitim.
Sipas “The Sun”, producentët e filmit po mendojnë për një personazh negativ krejtësisht të ri për filmin e ardhshëm, pikërisht për shkak se e vlerësojnë aktorin britanik. Emri i tij u përmend vitin e kaluar si njeriu që duhet të luante James Bond pas largimit të Daniel Craig, pasi kishte ardhur koha që personazhi i famshëm të interpretohej nga një aktor me ngjyrë. Por me sa duket, kjo nuk do të ndodhë.
Për rolin e James Bond në filmin e ardhshëm “No Time To Die” janë përfolur emra të ndryshëm, si Tom Hardy, Rege-Jean Page apo Henry Cavill, ndërsa i fundit që i është shtuar listës është edhe Dwayne Johnson. 49-vjeçari zbuloi për revistën “Esquire” se do të pëlqente shumë të bëhej pjesë e filmit, për të vijuar traditën familjare.
Gjyshi i “The Rock”, Peter Maivia, i cili ishte një mundës profesionist nga Samoa, ka luajtur një rol të vogël në filmin e vitit 1967 “You Only Live Twice”, kur Bond interpretohej nga Sean Connery, me skenar të shkrimtarit të famshëm Roald Dahl.
Gjyshi im ka luajtur antagonistin dhe do të më pëlqente që të ndiqja gjurmët e tij, por nuk dua të jem personazhi negativ. Dua të jem James Bond.
Por, a do të jetë një grua në rolin e James Bond? Daniel Craig thotë “jo, nuk duhet të interpretohet nga një femër”. Kështu u shpreh në një intervistë për ‘Radio Times’, aktori anglez i njohur si 007-ta. Craig është i mendimit se për kapitujt e ardhshëm të sagës mund të mendohen role femërore po aq të rëndësishme sa i Bond-it, por pa interpretuar personazhin kryesor.
Pak a shumë siç ndodh me “No Time to Die” ku Craig tërhiqet nga MI6 e zëvendësohet nga një agjente me leje për të vrarë e në jetën reale ajo është aktorja britanike Lashana Lynch. Madje, Lynch po përflitej për të intepretuar Bond-in në të ardhmen, edhe pse në një intervistë të fundit dhënë për “The Guardian”, ajo vetë e mohoi këtë mundësi.