Sport

Identitet, traditë dhe kulturë në fanellat e reja të Kombëtares

Federata Shqiptare e Futbollit dhe “Macron” kanë prezantuar uniformat e reja që do të veshin Shqiponjat kuqezi në ndeshjet e radhës ndërkombëtare. Kombëtarja shqiptare vjen nga një Kampionat Europian “Gjermani 2024”, ku tregoi se është një skuadër e fortë, e aftë për të vënë në vështirësi kundërshtarë të niveleve më të larta si Italia, Kroacia (në atë barazim 2-2) dhe Spanja, që më pas do të shpallej Kampione e Europës, në një sfidë ku djemtë e Silvinjos luftuan deri në fund, duke u mundur me rezultat minimal. Eksperienca e Euro 2024 përfaqëson një përvojë të rëndësishme për Kombëtaren shqiptare, që është e vetëdijshme se është një ekip që mund të arrijë objektiva të rëndësishëm.

Akti i parë i edicionit të ardhshëm që premton emocione të mëdha është prezantimi i uniformave të reja të lojës që ekipet kombëtare të shqiponjës dykrenore do të mbajnë veshur në ndeshjet e ardhshme ndërkombëtare në “UEFA Nations League”. Fanellat përfaqësojnë identitetin e kësaj skuadre dhe lidhjen e fortë me traditën dhe kulturën e vendit ballkanik. Ngjyrat, simbolet dhe referencat artistike i bëjnë unike bluzat e krijuara nga “Macron”, partner teknik i FSHF-së që prej vitit 2016.

Fanella e parë për ndeshjet në shtëpi sigurisht që është në ngjyrën e kuqe tradicionale (ngjyrën e flamurit shqiptar) me pjesën e qafës dhe skajet e mëngëve në ngjyrë të zezë. Karakteristika grafike që bën dallimin në këtë fanellë është e stampuar në pjesën e përparme, me një dizajn tipik të kulturës shqiptare, veçanërisht e përdorur në veshjet tradicionale, në sixhade dhe stolitë e tjera në përgjithësi, alternohet me dizajnin e shqiponjës me dy koka. Pjesa e brendshme pas qafës është e personalizuar me një etiketë me sfond të kuq me detaje të grafikës së pranishme në fanellë, shkrimin FEDERATA SHQIPTARE E FUTBOLLIT, logon e “Macron” dhe shkrimin ‘Designed in Bologna’ që vërteton se çdo veshje është ideuar, projektuar dhe zhvilluar në “Macron Campus”. Në gjoks, në të djathtë është stampa e zezë prej silikoni, Macron Hero, dhe në të majtë është logoja e FSHF-së.

Në fund të fanellës nga brenda është vendosur përsëri një shirit me shkrimin e ndarë nga dizajni i shqiponjës “Ti Shqipëri, më jep nder”, një frazë e kthyer në slogan të Shqipërisë, e marrë nga poezia e poetit të njohur Naim Frashëri. Në shpinë, në pjesën e jashtme të kornizës së qafës, me të zezë është stampuar shkrimi SHQIPËRI (Albania), që përsëritet me grafikë të stampuar dhe në fund të fanellës. Pantallonat janë në ngjyrë të zezë, me logon” Macron Hero” në shiritet anësore. Edhe çorapet janë në ngjyrë të zezë, me dy shirita horizontalë lart në ngjyrë të kuqe, e njëjta ngjyrë me logon Macron Hero të vendosu mbi kavilje dhe shkrimi Shqipëri mbi pulpë.

Versioni i fanellës së dytë është i bardhë me kornizën e qafës dhe skajet e mëngëve në të zezë me detaje të kuqe. Dizajni në pjesën e përparme është i njëjtës si te fanella e parë, edhe kjo me stampimet përkatëse. Kroniza e qafës, shiriti i personalizuar në pjesën e poshtme të fanellës nga brenda, detajet në pjesën e pasme të qafës dhe shkrimi në pjesën e poshtme të fanellës nga prapa janë identike me versionin e fanellës së parë. Pantallonat e shkurtra janë të bardha me shirita të zinj, dhe logon “Macron Hero” në anësore. Çorapet e bardha kanë në pjesën e sipërme dy shirita të kuq e të zi.

Së fundi, fanella e tretë është totalisht e zezë, përsëri me një kornizë në qafë me detaje të kuqe, gjithashtu të pranishme në skajet e mëngëve. Ashtu si në fanellën e parë dhe të dytë, edhe kjo fanella ka një model të stampuar në pjesën e përparme me dizajnin tipik të kulturës shqiptare. Logon e “Macron Hero” në gjoks është në ngjyrë të kuqe, ashtu si logoja e FSHF e vendosur në të majtë. Kompleti plotësohet nga pantallona të shkurtra të zeza me logon “Macron Hero” në ngjyrë të kuqe në anë dhe çorape të zeza, këto të fundit me një vijë horizontale të dyfishtë të kuqe në pjesën e sipërme. Logo Macron Hero mbi kavilje dhe shkrimi Shqipëri në pulpë janë gjithashtu të kuqe