Live From Tirana Music Showbiz

Ibro Deli rrëfen sfidat më të mëdha në karrierën e tij muzikore: “Së shpejti albumi që u tregon njerëzve se çfarë bëj unë, por në aspekte pak më të thella!”

I ftuar nëpërmjet një lidhje telefonike për “Live From Tirana” ka qenë artisti i njohur dhe shumë unik, Ibro Deli. Ai ka publikuar këngën e tij më të re “Viski Cola”, për të cilën na ka dhënë më shumë detaje nga krijimi i saj.

Si lindi projekti “Viski Cola”?

Projektin “Viski Cola” e kam realizuar bashkë me Bled’s Beat, u bë një kohë e gjatë që po bashkëpunoj me të. Ka nisur me idenë që unë kam dashur të realizoj një këngë të rrymës elektronike, njësoj si këto të tjerat që kam realizuar. Mirëpo gjatë rrugës u përshtat mjaft mirë me këtë versionin që ka dalë të “Viski Colës” dhe ka dalë super projekt. Jam shumë i kënaqur me atë që ka dalë. Tekstin e kam shkruajtur vetë, siç të gjithë njerëzit e dinë që unë i shkruaj vetë tekstet e mia, po ashtu vijën melodike. Në momentin që kemi gjetir një instrumental që i është përshtatur shumë, fillova të shkruaja tekstin. Kur e kam realizuar këtë projekt, kam menduar një club, një hare shumë të madhe ku mund të dëgjohet kjo muzikë, që njerëzit të kenë shumë eufori. Kurse sa i përket klipit, edhe këtu jam penalizuar pak. Mund të them që është një prej projekteve që kam pasur më problem për ta realizuar sepse nuk kemi mundur të koordinohemi. Kemi pasur një telash të madh.

Çfarë projektesh do të vijnë së shpejti?

E kemi pasur një sezon të verës shumë të ngjeshur dhe nuk kam mundur të punoj shumë. Por tani jam mbyllur në studio dhe jam duke krijuar shumë, shumë, shumë. Kam vendosur të vij me një album, ose me një EP, që u tregon njerëzve se çfarë bëj unë por në aspekte pak më të thella.

Si ka ndryshuar pjesa e frymëzimit nga njëra këngë në tjetrën dhe a guxon të ndryshosh zhaner muzikor?

Nëse je artist nuk duhet ta kufizosh veten në asgjë. Nëse të jepet të realizosh diçka, ti thjesht e bën, nuk e mendon shumë zhanrin. Muzika është e bukur, përçon një emocion dhe kjo vjen në zhanre të ndryshëm. Nuk është diçka e mirë që një artist e kufizon veten vetëm në një zhaner. Dhe unë nuk e kufizoj veten asnjëherë, nuk jam ndalur asnjëherë së rrezikuari. Gjithmonë duhet të eksperimentosh, të gjesh një anë tënden që ti nuk e ke eksploruar akoma dhe do të dalë diçka shumë e mirë.

Cila ka qenë sfida jote më e madhe deri tani në karrierën muzikore?

Ky është një profesion/pasion që ka shumë sfida. Në aspektin financiar dihet që nuk janë të gjitha gjërat që të duhen për të realizuar çdo gjë. Besoj se sfida më e madhe është konsistenca. Duhet të kesh konsistencë në krijime që të jesh sa më afër me njerëzit që të duan. Dhe sfida tjetër është kur je duke bërë diçka që nuk është parë apo dëgjuar më herët, është pak më problem për ta klasifikuar në një kategori. Por më së shumti më pëlqen që rrezikimin që kam bërë në karrierë në aspektin e zhanrit dhe vizualit, është krijuar një grup njerëzish që më duan, që e duan muzikën time, i duan projektet e mia, i duan mënyrën si po i paraqes dhe jam njeriu më i lumtur në botë. Kjo më shtyn për të vazhduar edhe më tutje.

Cili është mesazhi që ke dashur të japësh me “Viski Cola”?

Mesazhi është që në momentin që je në një club, thjesht ta shijosh.

Nëse edhe juve ju pëlqen kënga “Viski Cola”, ju mund të vazhdoni ta votoni atë për të qenë sa më gjatë pjesë e “The Top List”.