Aktualitet

I zbuloi i penduari i drejtësisë, 5 urdhër-arreste/Tre në pranga, dy në kërkim mes të cilëve Plaurent Dervishaj!

Me kërkesë të SPAK-ut, GJKKO, Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, sot lëshoi disa urdhër-arreste. Bëhet e ditur se lëvizja e GJKKO-së vjen pas dëshmisë së dhënë nga njëri prej të penduarve të drejtësisë. Emrat e njohur të botës së krimit, për të cilët u dha urdhër-arresti janë Akil Nerjaku, Plarent Dervishaj, Julian Meçaj, Bashkim Haxhia e Marsel Deçka, ky i fundit agjent doganor, ndërsa dyshohet të kenë lidhje me atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja. Nerjaku, Haxhia e Deçka ranë në pranga. Meçaj u shpall në kërkim e për Dervishajn gjithashtu në kërkim për një tjetër çështje, u dha masë e re sigurie.

Ndaj Akil Nerjakut, i njohur ndryshe si “Kili” i Shijakut u krye një atentat me snajper në shtator të vitit të kaluar, në lagjen nr.13 të Durrësit. Makina me të cilën ai udhëtonte ishte e blinduar dhe Nerjaku arriti t’u shpëtonte plumbave. Për ngjarjen, policia pati reaguar duke dhënë detaje vetëm për pronarin e makinës me targa të huaja që ndodhej e parkuar në momentin e ngjarjes. Në njoftimin e para disa muajve thuhej:

Më datë 12.09.2022, rreth orës 12:00, në lagjen nr.13, Durrës, në rrugën “Pavarësia”, është qëlluar një herë, me armë zjarri, në drejtim të një automjeti të parkuar, në pronësi të shtetasit Bujar Alushi, 52 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale është bërë i mundur identifikimi i automjetit me të cilin ka lëvizur personi që ka qëlluar në drejtim të automjetit të parkuar. Vijon puna intensive për kapjen e autorit. Për arsye hetimi, nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera. Theksojmë se në momentin e të shtënës me armë, në automjet nuk ka qenë asnjë person.

Akil Nerjaku rezulton me precedentë të mëparshëm penalë, i arrestuar më herët për armëmbajtje pa leje. Dyshohet se ai u prangos gjatë kontrollit të ushtruar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit në banesën e Ramazan Rrajës, nipit të deputetit socialist, Rrahman Rraja, për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja në vitin 2019. Në atë ngjarje kriminale mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku, si dhe u plagosën Landi Muharremi i njohur si “Rrumi i Shijakut” e Ndoja. Një ditë më parë, Prokuroria e Posaçme, SPAK lëshoi një urdhër-shoqërimi për Ramazan Rrajën.