Aktualitet

I vodhën celularët një turisti, arrestohen 2 autorët në Tiranë!

Policia e Tiranës arrestoi dy persona, pasi i vodhën me dhunë aparatet celularë një turisti.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në vijim të punës për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë sezonit turistik dhe në vijim të punës për goditjen e të gjitha paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, pas një kallëzimi të depozituar nga një turist, se dy shtetas të paidentifikuar i kishin vjedhur me dhunë dy aparate celularë, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e tyre dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Reagimi”.

Si rezultat u identifikuan dhe arrestuan shtetasit L.A., 22 vjeç, Xh. M., (L)., 31 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 139/25 i Kodit Penal. Dy të arrestuarit dyshohet se te sheshi “Skënderbej” i kanë vjedhur dy aparate celularë shtetasit D.C., 43 vjeç”.

43-vjeçari ka falënderuar punonjësit e Policisë për gatishmërinë e treguar dhe për ndihmën e ofruar.

Në një tjetër zhvillim, dy persona u arrestuan në Durrës për zhvatje të qytetarëve në një vendparkim pa pagesë. Ata u prangosën për përfitim të paligjshëm në një vendparkim të përcaktuar nga bashkia si pa pagesë në lagjen nr.1 të qytetit.  Ali Muço, 32 vjeç dhe Mariglen Gruda, 34, banues në Durrës, u kapën në flagrancë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Durrës kanë goditur një tjetër rast të zhvatjes së qytetarëve.  Procedurat për rastin i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.

Gjatë sezonit të verës, kur numri i automjeteve në qarkullim rritet, fenomeni është shtuar ndjeshëm jo vetëm në vendparkimet publike të qytetit, por edhe në zonat e plazhit. Ndërkohë, këshilltarët bashkiakë të opozitës kanë ngritur padi në Gjykatën Administrative ndaj Bashkisë Durrës dhe Këshillit Bashkiak për vendimin e kthimit të rrugëve e shesheve kryesore të Durrësit dhe rrugës së plazhit, në hapësira parkimi me pagesë.