Aktualitet

I vihet flaka makinës në përdorim nga drejtoresha e Tatimeve të Bashkisë Vlorë!

Digjet makina e drejtoreshës së Tatimeve e Taksave në Bashkinë e Vlorës, Anjeza Shiko. Ngjarja ndodhi në mbrëmje vonë ndërsa automjeti tip “Volkswagen” qëndronte i parkuar në një garazh në zonën e Plazhit të Vjetër, në lagjen “1 Maji” të qytetit bregdetar jugor. Eshtë fjala për zjarrvënie të qëllimshme e policia shoqëroi disa persona të dyshuar lidhur me ngjarjen. Ndërkaq, makina rezulton në pronësi të shtetasit Muhamet Çota, babai i Anjeza Shikos.  Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave.

Njoftimi zyrtar i Policisë Vlorë: 

Mbrëmjen e djeshme, në lagjen “1 Maji”, Vlorë, ka rënë zjarr dhe është djegur një automjet tip “Volkswagen”, në pronësi të shtetases A. Sh., banuese në Vlorë (funksionare e bashkisë Vlorë). Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariat, disa shtetas të dyshuar lidhur me ngjarjen. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.

Muhamet Çota tregoi momentin kur autori, i maskuar dhe me kapele, pasi hyri në garazh, i hodhi benzinë makinës në pjesën e përparme e më tej i vuri flakën.

Ngjarja mund të ketë ndodhur mbrëmë rreth orës 22:15. Në kamerat e sigurisë pashë që dikush kishte hyrë në garazh, i maskuar, me kapele dhe kapuç gri, hodhi benzinën e vuri flakën. Mbaroi punë dhe u kthye andej nga hyri. Neve na njoftoi një komshi që kishte parë tym në garazh. Morëm kovën me ujë të fiknim zjarrin e njoftuam policinë dhe zjarrfikësit.

I pyetur për arsyet, Çota u shpreh se mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës së vajzës si tij, si zyrtare e Bashkisë Vlorë.