Aktualitet Politikë

I takon Bashës apo Berishës? Gjykata e Apelit vendos sot për ndasitë mes demokratëve

Gjykata e Apelit në Tiranë do të mblidhet sot në orën 10:00 për të vendosur se cila palë ka të drejtë të quhet Partia Demokratike.

Trupi gjykues përbëhet nga relatore Alma Ahmeti e anëtarë Iliba Bezati dhe Elona Toro.

Mediat bëjnë me dije se të dyja palët kanë pohuar dje se nuk do të kenë kërkesa shtesë, çka do të çonte në shtyrjen e seancës e rrjedhimisht edhe vendimit për vulën e PD.

Prej dy vite e gjysmë vijon beteja për vulën e Partisë Demokratike mes demokratëve të Lulzim Bashës dhe Sali Berishës me shpresën për një vendim final që do të zgjidhë njëherë e mirë fatin ligjor të partisë më të madhe opozitare.

Beteja mes dy grupeve të demokratëve përgjatë këtyre dy viteve e gjysmë përçarje nuk ka qenë vetëm ligjore. 8 janari i 2022 kulmoi në përplasje fizike mes Rithemelimit e PD zyrtare, ku vetëm ndërhyrja e policisë shmangu pasojat fatale.

Në seancën e 27 dhjetorit të vitit të shkuar Gjykata e Lartë i kërkoi Apelit të vendosë përfundimisht për këtë çështje. Në argumentet e saj, Gjykata e Lartë u shpreh se Apeli nuk kishte kryer një hetim të plotë të çështjes, nuk kishte kuptuar natyrën e mosmarrëveshjes dhe kishte interpretuar gabim normat dhe ligjin procedural.