Para pak ditësh, Papa Françesku u shtrua me urgjencë në spitalin “Gemelli” në Romë. Papa u operua dhe ndërhyrja kirurgjikale u realizua me sukses. Ai ndodhet aktualisht në Poliklinikën Gemelli në Romë ku iu nënshtrua një operacioni të planifikuar për një deformim të zorrës së trashë.
Nga poliklinika Gemelli, Papa Françesku është lumturuar për fitoren e Italisë në “Euro 2020” dhe Argjentinës në Copa America.
Zëdhënësi Matteo Bruni ka bërë të ditur fjalët e Atit të Shenjtë:
Në ndarjen e gëzimit për fitoren e ekipeve kombëtare të Argjentinës dhe Italisë me njerëzit që janë afër tij, Shenjtëria e Tij u ndal në kuptimin e sportit dhe vlerat e tij dhe në atë aftësi sportive për të ditur pranimin e çdo rezultati, madje edhe disfatës, vetëm në këtë mënyrë, përballë vështirësive të jetës, njeriu gjithmonë mund ta vendosë veten në lojë, duke luftuar pa u dorëzuar, me shpresë dhe besim.
Marrëdhënia e Papës me futbollin i ka rrënjët më të lashta. Françesko nuk e ka fshehur kurrë mbështetjen e tij për San Lorenzo, një ekip argjentinas i futbollit, tifoz i të cilit ai ka qenë që kur ishte fëmijë. Një pasion që nuk mbaroi kurrë, pavarësisht distancës gjeografike për shkak të largimit nga vendi i origjinës.
Sporti ka luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm në jetën e Bergoglio-s, i cili ishte Papa i parë që i kushtoi një tekst, në të cilin përshkruante kur shkonte me babanë e tij në stadium për të brohoritur për San Lorenzo-n.
Rikujtojmë, se nga Argjentina ka ardhur një propozim provokues, nisur nga gazeta ‘Olè’, që gjithashtu mund të mirëpritet nga të dy federatat e futbollit të vendeve respektive: një ndeshje miqësore mes fituesve të Copa America, Argjentinës dhe atyre të “Euro 2020”, Italisë, për trofeun “Superkupa Maradona” në nder të El Pibe de Oro, i cili ndërroi jetë më 25 nëntor 2020.
Ekipi kombëtar i Mancini-t, pas fitores me penallti kundër Anglisë në Wembley, u kthye në Itali gjatë natës për të shijuar përqafimin e vendit të tyre dhe për marrë mirënjohjet e merituara. Të kaltrit fillimisht u pritën nga Presidenti Mattarella dhe më pas nga Kryeministri Draghi dhe e mbyllën festën me një paradë në autobusin e hapur nëpër rrugët e Romës në mes të një turme delirante.