E ftuar në “Live From Tirana” përmes një lidhje telefonike ishte stilistja Enxhi Valteri për të folur rreth tendencave të këtij viti rreth rrobave të plazhit. Të gjithë duam të jemi në stil dhe Enxhi jep disa këshilla për ato vajza dhe djem që duan të lënë një përshtypje mbresëlënëse.
Cilat janë tendencat e këtij viti për rrobat e plazhit?
Do të doja të theksoja që kemi ndryshime me stilin e rrobave të banjos. Ato sigurisht qëndrojnë të njëjtat, por ato që bien në sy dhe theksohen janë lulet, asimetria dhe detajet e prerjes. Sa për ngjyrat, qëndrojmë përsëri tek minimalizmi.
Po për djemtë?
Tek djemtë vazhdojnë pantallonat si vitet e mëparshme, por detajet që bëjnë diferencën janë këmishat e bardha, sidomos nëse copa është lino. Kujdesuni për balancën dhe qëndroni të freskët në stil. Këmishat oversize janë gjithashtu të pranueshme.
Çfarë mund të thuash rreth aksesorëve të plazhit?
Këtë vit kemi një fokus rreth krijesave të detit. Që do të thotë, si për shembull, guackat. Për sa i përket aksesorëve kryesorë, kthehuni tek kapelet dhe çantat e kashtës. Përveçse ju japin stil, këto të fundit janë dhe praktike. Çantat e rrjetës janë rikthyer gjithashtu në modë, të japin një vibe shumë të mirë. Kam parë influencers dhe bloggers që i përdorin në foto dhe për plazh, janë praktike dhe të bukura. Merr gjërat kryesore që të duhen dhe duku mirë duke e bërë këtë.
Cilat janë disa këshilla për vajzat dhe djemtë rreth mënyrës si vishen gjatë ditës dhe darkës në verë?
Vlen për t’u theksuar se vajzat shqiptare kanë bërë progres në mënyrën si vishen dhe se sa të kuruara janë, ndoshta sepse kanë udhëtuar më shumë jashtë. Megjithatë, ka akoma gabime. I shoh me taka në plazh, për shembull. Përveçse nuk janë praktike, rëra i bën shumë të parehatshme. Prakticiteti është shumë i rëndësishëm, duhet të ndihesh e rehatshme me atë veshje që ke zgjedhur. Nëse jo, ka diçka që nuk shkon, edhe nëse është shumë e shtrenjtë. Në këtë aspekt, lino është materiali perfekt i verës, pasi të mban të freskët.
Po për ngjyrat, çfarë këshillon?
Më të mirat janë akoma neutralet, si e bardha. Këto ngjyra nuk e thithin shumë vapën dhe të mbajnë më të freskët, ndryshe nga e zeza që e thith më shumë diellin. Neutralet si bezha, për shembull, janë shumë të këndshme, kombinohen mirë dhe nuk dalin nga moda. Kam parë që disa vajza të reja kanë guxuar duke mbajtur ngjyrën e kuqe si ajo e shegës, është fantastike gjatë mbrëmjes. Kemi dhe blunë rojale, këto të marinës.