Aktualitet

I nxehti afrikan, nisin “ditët e ferrit” për vendin tonë!

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se sot vendi ynë pritet të përjetojë “ferrin mbi tokë”, me temperatura tepër të larta si në vlerat maksimale, ashtu dhe ato minimale e të zgjatura në kohë (ditë). Kjo situatë vjen si pasojë e ndikimit të theksuar të Anticiklonit Afrikan (dhe jo vetëm pasi gradualisht bashkohet edhe me Anticiklonin e Azoreve) shoqëruar me masa ajrore të nxehta me origjinë nga Afrika e Veriut (shkretëtira e Saharasë).

Moti parashikohet kryesisht i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit, por përgjatë relieveve kodrinore – malore, në orët e mesditës dhe pasdites nuk mungojnë vranësirat kalimtare. Në relievet malore në lindje, kryesisht ditën e enjte dhe atë të premte, vranësirat do të shoqërohen edhe me reshje shiu me intensitet të ulët. Në periudha afatshkurtra e në mënyrë lokale, këto reshje do të jenë në formën e shtrëngatave apo rrebesheve, shoqëruar me shkarkesa elektrike e breshër.

Kjo javë pritet të jetë “torturuese” për disa arsye dhe ndër më kryesoret është se vala e të nxehtit po zgjat (duke marë parasysh ditët që lamë pas) e do të zgjasë deri në fund të javës. Për periudhën ku ndodhemi, vendi ynë ka përjetuar edhe herë të tjera temperatura në vlera 40 apo 42-43°C, por për një periudhë kohore jo më shumë se disa ditë (kryesisht 3-4 ose maksimumi 5 ditë).

Arsyeja tjetër është se depërtimi i këtyre masave të nxehta mbi detin Mesdhe bën që ato të mbartin me vete një sasi relativisht të lartë lagështire. Në këtë mënyrë, nëse në kafazin meteorologjik zhiva e termometrit mund të shënojë deri në 42°C, për trupin e njeriut kjo temperaturë ndjehet disa gradë më e lartë për shkak të lagështirës. Ndryshe do të ishte situata nëse masat ajrore do të ishin të thata dhe trupi ynë do të ndjente këto temperatura disa gradë më të ulta.

Gjithashtu, vlen për t’u theksuar edhe fakti i temperaturave të larta në orët e mbrëmjes, siç njihet ndryshe me termin “netët tropikale”. Me temperatura që nuk zbresin më poshtë se 26-27°C (kryesisht zonat urbane) dhe lagështirën e lartë në ajër, netët pritet të jenë “mbytëse” njësoj si në vendet tropikale ku në mesditë temperaturat arrijnë 38-40°C ndërsa në mbrëmje nuk zbresin më poshtë së 28-30°C.

Për këto ditë, të gjithë duhet të tregohemi të kujdesshëm për të shmangur sa më shumë kohëzgjatjen e qëndrimit në diell dhe kryesisht kategoritë e njerëzve të ndjeshëm ndaj këtyre temperaturave.