Botë e Çuditshme Lifestyle

I klasifikuar si specie në zhdukje, rikthehet “bisha” në pyjet e Europës!

Pasi ishte shndërruar në një specie të zhdukur në natyrë, përpjekjet për ta rikthyer bizonin europian në pyjet e Kontinentit të Vjetër nisën që në vitin 1954. Ndërhyrja e fundit e njeriut, në përpjekje për ta “ringjallur” bishën e madhe, u bë në vitin 2012, në Rumani. Në ditët e sotme, fotografi Alexander Turner nisi një udhëtim në malet Karpate, për të gjetur dhe përjetësuar në aparatin e tij gjitarin më të madh tokësor të Europës.

Bashkë me anëtarë të Fondacionit të Rezervatit Karpat (FCC), Turner u fut thellë në pyje në kërkim të më shumë se 150 bizonëve që mendohet se jetojnë të lirë në Rumani. Ata përdorën antena në përpjekje për të lokalizuar bizonët të cilëve iu janë vënë gjurmues, edhe pse terreni i vështirë e bën thuajse të pamundur pikasjen e kafshëve. Përgjatë viteve, kërkuesit kanë arritur të shohin rreth 37 bizonë dhe ndonjë ari, në pyjet e dendura.

Adrian Aldea, biolog dhe manaxher në FCC, tregon për “The Guardian” pse prania e bizonëve është gjë e mirë për biodiversitetin.

Kullotja e bizonit do të ruajë gjendjen e livadheve ndërsa pyjet do të marrin një strukturë më natyrore, duke i shërbyer kështu edhe specieve të tjera.

Që prej futjes së bizonit në Poloni në vitin 1954, shtete të tjera, si Gjermania, Zvicra, Bjellorusia dhe Lituania bënë të njëjtën gjë. Por megjithëse kjo ka bërë që kafsha t’i shpëtojë zhdukjes totale, bizoni mbetet i klasifikuar si specie në rrezik zhdukjeje. Përditë para syve tanë ndodhin vrasje masive por ne nuk i vërejmë ato sepse zhvillohen pa bërë zë.

Zhdukja e llojeve nuk dërgon peticione online, nuk organizon demostrata dhe shpesh ne nuk i njohim fare llojet. “Nga rreth tetë milionë lloje kafshësh, bimësh dhe kërpudhash që ndodhen në tokë, shkencërisht janë përshkruar vetëm një pjesë e vogël”- thotë Këshilli ndërkombëtar për biodiversitetin IBPES.