Dhjetëra dorëshkrime dhe shtypshkrime të gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadaresë, do të ruhen tanimë në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave. Veprimtaria letrare e pangjashme e Kadaresë, i cili arriti të lërë gjurmë edhe në panteonin e letërsisë botërore, do t’i nënshtrohet restaurimit në DPA, që do të realizojë fillimisht rimëkëmbjen e materialeve, për të kaluar më pas në procesin e digjitalizimit të tyre.
Në fjalën e saj, e bija e shkrimtarit të ndjerë, Gresa Kadare u shpreh se nëpërmjet kësaj nisme, po plotëson vullnetin e të atit, i cili ka dashur që arkiva e tij të strehohet në Shqipëri.
“Desha t’ju falenderoj juve personalisht për mirëkuptimin që gjetëm dhe për mirëbesimin reciprok sepse nuk është gjë e lehtë të marrësh një iniciativë të tillë. Ismailit në Paris, para disa viteve, i janë afruar plot institucione të huaja, shumë ishin franceze. Universiteti i Sorbonne-s, Akademia e Francës, Biblioteka ‘Françoi Miterrand’, që donin të merrnin plotësisht ose një pjesë të arkivave. Erdhi dhe një propozim shumë interesant nga Universiteti i Princeton-it në New York.
E shikoja që Ismaili hezitonte, ishte në mëdyshje, diçka e pengonte dhe nuk ka dhënë përgjigje të qartë. Dhe unë i thashë: ‘Po si e ke menduar? Çfarë do të bëhet me arkivën tëndë? Pse nuk shprehesh?’. Nuk di tha ç’duhet të bëj sepse unë dua që arkivi të kthehet në Shqipëri. Por, nuk di cilit institucion t’ia besoj. Ai nuk dha përgjigje të prerë. Por, në mënyrë subliminale, vendosa me iniciativën time t’ia plotësoj këtë amanet, duke ju bërë juve besim total.
Edhe një herë, është shumë e vështirë t’i besohen qoftë një institucioni serioz gjëra kaq të vyera. Jam shumë e prekur personalisht, që pashë para ca ditëve se Kodikët e Beratit prehen gjithashtu këtu. Më emocionon ideja që dorëshkrimet e Ismailit do jenë në shoqëri të mirë, pranë Kodikëve të Beratit. Në njëfarë mënyrë, më duket sikur këto janë kolonat e një tempulli tonë të përbashkët që është trashëgimia kulturore e shqiptarëve dhe që duhet ruajtur, jo vetëm si një qenie e ballsamosur. Unë shpresoj që në një kohë të dytë, Arkivi do lejojë aksesin e studiuesve, kritikëve letrarë, studentëve të letërsisë ose studentëve nga gjithë anët, të vijnë ta konsultojnë, ta studiojnë dhe ta mbajnë gjallë arkivin.”, u shpreh Gresa Kadare.