Aktualitet

I hodhën kos e vezë/ Reagon shteti helen: Shqipëria të garantojë sigurinë për eurodeputetët!

Greqia dënon protestat me të cilat është pritur në Tiranë ditën e martë, (29 tetor)  eurodeputeti grek Fredi Beleri. Përmes një deklarate të Ministrisë së Jashtme helene kërkohet që shteti shqiptar t’i garantojë sigurinë dhe lirinë eurodeputetit.

“Dënojmë sulmet ndaj eurodeputetit grek Fredi Beleri gjatë vizitës së delegacionit të Parlamentit Europian në Tiranë për të monitoruar procesin e anëtarësimit të Shqipërisë. Autoritetet shqiptare duhet të marrin masat e duhura për të garantuar sigurinë dhe lirinë e eurodeputetëve për të kryer pa pengesa detyrat e tyre.  Eurodeputetët përfaqësojnë interesat e qytetarëve të BE-së dhe duhet të trajtohen me respektin e duhur”, thuhet në deklaratën e ministrisë së Jashtme greke.

Ndërkohë mësohet se sot policia e Tiranës ka shoqëruar në polici për të dhënë deklaratën e tij qytetari që hodhi kos e vezë drejt Fredi Belerit.

Ish kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, që nuk e ushtroi asnjë ditë këtë funksion, i dënuar për blerje votash nga Gjykatat shqiptare u prit me protesta në Tiranë paraditen e 29 tetorit, ku erdhi si pjesë e delegacionit të Parlamentit Evropian. Tre protesta të ndryshme i kujtuan Belerit, “Masakrën e Peshkëpisë”, blerjen e votave dhe përdhosjen e simboleve kombëtare teksa e gjuajtën me vezë e i hodhën kos.

(Foto: Deklarata e ministrisë së jashtme greke)