Bota

I dhuroi 6 mijë dollarë Harrisit kur ishte Prokurore, sot janë ‘armiq’ në garë!

Donald Trump ka ndezur motorët pas tërheqjes së Joe Biden nga gara presidenciale dhe futjes në lojë të Kamala Harris.

Tashmë ai ka nxjerrë nga kutia e pluhurosur pseudonimin “Laffin” për Kamala Harris.

Por ndërsa kandidati republikan rifokuson fushatën e tij për të sulmuar Harris, ka një të vërtetë të vështirë me të cilën Trump do të duhet të përballet, shkruan The Guardian.

Ai është një çek prej 5,000 dollarësh i datës 26 shtator 2011, që mban nënshkrimin dallues të Trump drejt “Prokurores së Përgjithshme Kamala D Harris”.

Brenda orëve pasi Biden u tërhoq nga gara, me një betejë të re të mundshme Trump-Haris në pamje, ky çek u rishfaq në mediat sociale.

Jared Moskowitz, një kongresmen demokrat nga Florida, postoi një foto të çekut në X me fjalët: “Ishte një investim i mençur”.

Michael Steele, ish-kryetari i Komitetit Kombëtar Republikan, tha : “Kur Trump shkroi atë çek për të rizgjedhur Kamala Harris në vitin 2011, vë bast se ai nuk mendonte se ajo do ta arkëtonte atë në vitin 2024!”

Në fakt, shuma prej 5000 dollarësh ishte vetëm një nga disa dhurata nga familja Trump për Harris në kohën kur ajo punonte si prokurorja kryesore e Kalifornisë.

Të dhënat e mbajtura nga sekretarja e shtetit në Kaliforni shënojnë dhurimin më të madh prej 5000 dollarësh, por gjithashtu japin detaje të një çeku tjetër prej 1000 dollarësh nga Trump te Harris nga shkurti i vitit 2013 në fillimin e fushatës së saj të rizgjedhjes si prokurore e përgjithshme e shtetit.

Vajza e Trump, Ivanka, është gjithashtu e listuar në bazën e të dhënave se i ka dhënë Harris 2000 dollarë në qershor të vitit 2014.

Ekzistenca e 8,000 dollarëve të parave të Trump dhuruar Harris mund ta ndjekin Trumpin në fushatë, ashtu siç ndodhi gjatë fushatës presidenciale të vitit 2020, kur ajo ishte kandidatja e Bidenit.