Bota

I dërguari amerikan në Bejrut për bisedime me zyrtarët libanezë!

I dërguari amerikan Amos Hochstein ishte në Bejrut për bisedime që synojnë arritjen e zgjidhjes për konfliktin në kufirin Izrael-Liban, pjesë e një përpjekjeje diplomatike që riktheu në rajon edhe sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Kjo me qëllim arritjen një armëpushimi në Rripin e Gazës.

Hochstein iu tha gazetarëve se kishte patur një takim “dobishëm” me kryeparlamentarin e Libanit, Nabih Berri dhe se gjatë qëndrimit në Liban, ai do të bisedonte me anëtarë të qeverisë, përfaqësues të ushtrisë e këdo tjetër që është i gatshëm të punojë që vendi të rikthehet në rrugën e “sigurisë, qëndrueshmërisë dhe mirëqenies ekonomike”.

Ndërkaq vuri theksin te Rezoluta 1701 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e miratuar në përfundim të luftës së fundit mes Izraelit e Hezbollahut më 2006-ën e përfshin thirrjen që Hezbollahu të heqë luftëtarët në veri të lumit Litani të Libanit e që Izraeli të tërheqë forcat nga Libani.

Hochstein tha se askush nuk bëri përpjekje për të zbatuar rezolutën, duke shtuar se “nuk mjafton” vetëm angazhimi i palëve për zbatimin e saj. Po ashtu, përsëriti se synimi është që të ndërtohet besimi te të dyja palët se rezoluta do të zbatohet dhe të garantohet, që konflikti të mos përsëritet brenda një muaji apo një viti.

Qytetarët e Libanit, si të gjithë në rajon, duan të shkojnë në shtëpi, të ndërtojnë një të ardhme paqësore, të sigurt dhe të begatë për veten dhe familjet e tyre.

Dje, sekretari amerikan i Shtetit, Blinken u nis për vizitë një javore në Lindjen e Mesme, në përpjekje për të rigjallëruar procesin e negociatave për arritjen e armëpushimit në Gaza e për të siguruar lirimin e pengjeve që ende po mbahen nga Hamasi. Kjo në një kohë kur Izraeli po planifikon sulm hakmarrës ndaj Iranit.

Sipas zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, sekretari Blinken do të diskutojë planet për periudhën pas konfliktit e të theksojë nevojën “për gjetjen e një zgjidhjeje që u mundëson palestinezëve të rindërtojnë jetën e tyre dhe të realizojnë aspiratat, “të lirë nga tirania e Hamasit”.

Ndërkohë, ushtria izraelite kërkoi falje për vrasjen e tre ushtarëve libanezë në një sulm në Libanin jugor. Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se sulmi i së dielës goditi një automjet të ushtrisë libaneze dhe se Izraeli nuk vepron kundër ushtrisë libaneze. Ushtria libaneze nuk ka luajtur rol në konfliktin e përshkallëzuar gjatë muajit të kaluar, pasi Izraeli zgjeroi sulmet ajrore dhe trupat izraelite ndërhynë në jug të Libanit.