Një volejbollist plazhi hollandez, i cili vuajti dënimin me burg për përdhunimin e një fëmije 10 vjet më parë, do të përfaqësojë Hollandën në Lojërat Olimpike të këtij viti. Steven van de Velde, i cili tani është 29 vjeç, u dënua me katër vjet burg në vitin 2014 për përdhunimin e vajzës që ishte 12 vjeçe, sipas mediave britanike. Ai u lirua në vitin 2017.
Ai tani është përzgjedhur të përfaqësojë Hollandën në lojërat e volejbollit në plazh për Lojërat Olimpike të kësaj vere në Paris. Michel Everaert, drejtor i përgjithshëm në Nevobo, Federata Hollandeze e Volejbollit tha në një deklaratë se:
Ne e dimë historinë e Steven.
Everaert tha se federata foli gjerësisht me Komitetin Olimpik Kombëtar Hollandez (NOC), Federatën Ndërkombëtare të Volejbollit (FIVB) dhe van de Velde përpara kthimit të tij sërish në sport.
Ai ishte dënuar në atë kohë sipas ligjit anglez dhe e ka vuajtur dënimin. Që atëherë e tutje, ne kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me Steven, i cili tani është riintegruar plotësisht në komunitetin hollandez të volejbollit.
Van de Velde kreu një pjesë të dënimit të tij në Angli përpara se të transferohej në Hollandë, ku u lirua dhe u kthye në lojë në vitin 2017, sipas Nevobo. Në vitin 2018, van de Velde i tha transmetuesit kombëtar NOS se:
Bëra atë që bëra. Nuk mund ta kthej, kështu që do të më duhet të mbaj pasojat. Ju mund të gjykoni, sigurisht. Është gabimi më i madh i jetës sime.
Ndër të tjera Everaert shtoi se:
Ai po provon të jetë një profesionist dhe qenie njerëzore shembullore dhe nuk ka pasur asnjë arsye për të dyshuar në të që nga kthimi i tij.
Federata vuri në dukje se van de Velde ishte i vetëdijshëm se kjo “periudhë e zezë në jetën e tij” do të rishfaqej “por padyshim nuk është i lumtur për këtë”. Në deklaratën e publikuar nga Nevobo, van de Velde tha se është mirënjohës për mundësinë.
Unë e kuptoj që në prag të ngjarjes më të madhe sportive në botë, kjo mund të tërheqë vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Për shkak të mundësisë së dytë që pata nga prindërit, miqtë, të njohurit dhe kolegët e mi, të cilët më pranuan sërish pas gabimit më të madh të jetës sime të re. I jam mirënjohës edhe federatës hollandeze të volejbollit, sepse më ofruan me kushte dhe marrëveshje të qarta një të ardhme sërish në këtë sport të bukur. Por mendoj edhe për adoleshentin që isha, i cili ishte i pasigurt, jo gati për një jetë si atlet i klasit të lartë dhe i pakënaqur brenda, sepse nuk e dija kush isha dhe çfarë doja.
Nevobo dhe NOC hollandeze thanë në një deklaratë se ata mbështesin van de Velde, duke shtuar se ata, së bashku me FIVB, ishin konsultuar me ekspertë të cilët e konsideruan mundësinë e tij për përsëritje “zero”.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar i tha CNN se “emërimi i anëtarëve të ekipit individual, pas kualifikimit në fushën e lojës, është përgjegjësi e vetme e çdo Komiteti Olimpik Kombëtar përkatës. Prandaj, për çdo informacion të mëtejshëm do t’i referohemi NOC-së hollandeze.