Aktualitet

I dehur, i maskuar e pa targa, tentoi goditjen e policëve në Vlorë/Kapet pas 15 minutave!

Skenat që jemi mësuar t’i shohim në filma, pas mesnate u ofruan në Vlorë duke krijuar jo pak shqetësim. Një ndjekje e denjë për skenarët e realizimeve kinematografike u shënua pas mesnate në qytetin bregdetar jugor. Një 42-vjeçar me iniciale H.H., nuk i ndaloi policisë teksa lëvizte me automjetin e tij tip “Porsche”, pa targa.

Pasi shërbimet “Shqiponja” dhe të tjera forca të rendit u vënë në ndjekje të tij, arritën ta kapnin pas 15 minutash, në lagjen “Isa Boletini” të Vlorës, ndërsa në fytyrë mbante një maskë. Burime nga policia e Vlorës bëjnë me dije se gjatë ndjekjes, personi ka rrezikuar jetën e efektivëve të policisë duke tentuar t’i godasë me automjet.

Në momentin e prangosjes ai tha se u konfliktua në një lokal në qytet, ndaj dhe ishte maskuar e se për të njëjtën arsye hoqi targat e mjetit.

Gjatë kontrollit të makinës u gjetën një maskë, një mjet prerës (thikë) dhe targat e automjetit. Në testin e kryer nga efektivët e rrugores rezultoi se personi ishte në gjendje të dehur.

Në momentin e ndalimit u konstatua se personi kishte hematoma në fytyrë e po ashtu kërkoi ndihmë mjekësore dukë thënë se e goditën disa persona në një lokal.

Shtetasi me iniciale H.H u shoqërua për ndihmë në Spitalin Rajonal Vlorë ku dhe po mbikëqyret nga patrulla e rendit.