Nusret Gökçe, i njohur ndryshe si Salt Bae, përveç dashurisë për gatimin duket se ka edhe një tjetër pasion të madh, që janë makinat luksoze. Një pasion që është shndërruar në blerje me një vlerë totale mbi një milion euro. Makina më e shtrenjtë në koleksionin e tij është një Rolls-Royce Cullinan, e cila ndërthur elegancën dhe luksin. Për këtë të fundit kujdeset një motor V12 me benzinë 6.7 litra që prodhon 571 kuaj fuqi dhe kombinohet me një kambio automatike që e dërgon lëvizjen në të katër rrotat e SUV-së.
Një tjetër kryevepër në garazhin e tij është Rolls-Royce Ghost. Nën kapuçin e makinës është një motor 6.6-litërsh V12 me benzinë që prodhon 571 PS/850 Nm dhe shoqërohet me një transmetim automatik me 8 shpejtësi. Bazuar në peshën e Ghost (2.5 ton) performanca është shpërthyese, me 0-100 km/h në 4.8 sekonda. “Çmenduria” e Salt Bae për stolitë me katër rrota Rolls-Royce vërtetohet nga fakti se ai ka në garazhin e tij një tjetër model të kësaj marke. Bëhet fjalë për Wraith, një makinë mbresëlënëse që përveçse luksoze ka edhe orientim sportiv.
Motori V12 prej 6.6 lt. prodhon 632 PS/800 Nm dhe i lejon makinës të përshpejtojë në 100 km/h në vetëm 4.6 sekonda. Lamborghini Huracan përpiqet të “vjedhë” një pjesë të shkëlqimit nga tre modelet e Rolls-Royce në versionin LP610-4. Supermakina e fuqishme fuqizohet nga një motor benzine 5.2 litra V10 me aspirim natyral që prodhon 610 PS dhe siguron performancë shpërthyese. 0-100 km/h “vjen” në 3,4 sekonda dhe shpejtësia maksimale arrin 323 km/h.
Ndërkaq, duhet ta mendosh disa herë para se të darkosh në restorantin e kuzhinierit të famshëm turk Nusret. Disa klientë të restorantit të tij në Abu Dhabi kanë postuar në rrjetet sociale faturën prej 160.000 euro dhe komentet nuk kishin të ndalur. Ndërkaq, pasi kjo faturë u be virale, Gökçe u kundërpërgjigj duke postuar një video në Instagram me një biftek të mbuluar me fletë ari 24 karatësh.