Health & Beauty Lifestyle Vitality Vibes | News

I bashkon kauza e autizmit, një mesazh i fortë në “Vitality Vibes”!

Çdo javë emisioni “Vitality Vibes” trajton një patologji të ndryshme, ku flasin njerëzit rreth një sëmundje, sqarohet si nisen simptomat e para dhe ndjesitë e tij. Më pas ky rrëfim i tregohet ekipit të mjekëve i cili shikon nëse mund të nxjerrin një diagnozë paraprake pa vizituar pacientin ose mund t’i japin një këshillë në mënyrë direkte, medikamente, ushtrime, këshilla, etj.

Në këtë episod nuk ishte vetëm një i ftuar, por plot tre. Të tre ata kanë një emërues të përbashkët që është pikërisht vrapi. Përpara se ta trajtojmë më gjatë këtë temë dhe se si lidhet ky aktivitet me sportin, të ftuarit specialë janë Besnik Kasemi, Danjel Biturku dhe Brixhida Muça.

Duke nisur intervistën me Besnikun, ku Ilvi iu referua si “vrapuesi më i rregullt që njeh”, i pyetur se çfarë është “Vrap Lale”, ai u përgjigj:

“Vrap Lale” ka nisur si një iniciativë mes disa shokëve, të cilët vraponim pas pandemie për qejf nga liqeni. Kështu në grup ditë pas dite dhe derisa pamë që kishte shumë të tjerë si ne që i intrigonte kjo idea e të dalurit në grup. Në mesin tonë kemi shumë nga Tirana dhe me atë shprehjen tipike tonën ‘vrap njëri lale, vrap tjetri lale’ dhe thamë përse mos ta quanim “Vrap Lale”. E pamë që e pëlqenin edhe shumë njerëzve ky term dhe u kthye si slogan. Ky është viti i dytë që ne jemi në maratonë dhe mundohemi që të afrojmë sa më shumë të rinj dhe vrapues që të vrapojnë gjatë gjithë vitit, kurse në maratonë për një kauzë akoma edhe më të madhe. Nisi si një hobi, si një pasion për vrapimin. Ne e kemi legalizuar dhe kemi bërë një shoqatë me emrin “Vrap Lale”.

Përsa i përket Danjelit, i pyetur se sa është grupi i sportistëve që ai ka të regjistruar në organizatën e tij përsa i përket pjesëmarrjeve në aktiviteteve të ndryshme, ai u përgjigj:

Siç e përmendi edhe Besniku, organizimi ka nisur si diçka amatore i një grupi shokësh të rinj me pasion për sportin, por veçanërisht për sportin, na bashkonte. Ka ardhur spontanisht ky bashkimi ynë. Le të themi që përtej vrapit kemi marrë pjesë edhe në aktivitete të tjera në Ballkan dhe kudo që janë eventet e maratonës së vrapit ne tentojmë të shkojmë. Përtej maratonve, ne kemi edhe organizimet siç janë grupet e hiking. Normalisht në çdo event që ne marrim pjesë ose organizojmë e kemi parë të nevojshme që të bashkëngjitemi, duke qenë se jemi qenie humane dhe kemi nevojë të solidarizohemi. Jemi qenie sociale. Kemi menduar që me anë tëkëtij pasioni që kemi, të përçojmë edhe kauza të ndryshme për shoqërinë dhe një nga këto kauza që ne kemi pëlqyer dhe kemi pasur një energji të mirë ka qenë kauza “Run For Autism”.

Një nga thirrjet e dy të ftuarve në studio për dëgjuesit e Top Albania Radio ishte që t’i bashkohen këtyre maratonave jo vetëm për të vrapuar e për të mbajtur trupin në formë, por edhe për kauzat që ato mbështesin. Përsa i përket Brixhildës, ajo ka një qendër që quhet “Lumturo Dhimbjen”, e cila është mjaft e veçantë dhe e para në llojin e saj, pasi ofron terapi dhe shërbime falas për adoleshentët e spektrit të autizmit.  Më tej, ajo shtoi:

Në fakt “Vrap Lale” na mbështet ne dhe ata vrapojnë vetë e po sensibilizojnë shoqërinë që të vrapojnë në “Run For Autism” që ne prindërit që e kemi këtë vrapojmë tërë jetën në këtë kauzë, në këtë sfidë, në këtë maratonë të jetës sonë. Ajo çka bën “Vrap Lale” është sensibilizimi në njohje, në pranim dhe në mbështetje. Dhe kjo mbështetje sigurisht ka ardhur edhe monetarisht dhe ka siguruar dhe një të ardhur për qendrën që të japë shërbimin e munguar dhe të duhur. Pra nuk është vetëm të sensibilizojë, por të sjellë edhe të ardhura.