Aktualitet

I ati vrau veten me fotoksinë, i biri: Na bllokuan edhe minimumin jetik!

Gledis Trashaj, djali i 63-vjeçarit Pal Trashajt i cili u vetëvra duke pirë fotoksinë para SPAK, në një prononcim për mediat ditën e sotme është shprehur se i ati kishte shkuar në SPAK për të kërkuar drejtësi pasi i ishte marrë pasuria nga përmbaruesit që punojnë për kompanitë e mikrokredive.

Trashaj u shpreh se janë të shkuar për ngjarjen tragjike, ndërsa ka treguar dhe bisedën e fundit që i ati ka bërë para se të ndërmerrte aktin.

Pjesë nga fjala e djalit të Trashajt:

“Babi është munduar gjatë gjithë kohës që të na shmangte nga problemet që kishte me bankën BKT. Di një gjë që babi ka shkuar disa herë pranë SPAK. Kanë arritur deri në atë lloj limiti sa na kanë hequr dhe minimumin jetik, na kanë marrë gjithçka. Ne banojmë në fshatin Pllanë, ku dhe jetojmë aktualisht.

Babi kishte marrë mamin në telefon dhe i kishte thënë se kishte bërë diçka, kishte pirë fotoksinë. Humbja është katastofale, jemi të shokuar emocionalisht, nuk mund të spekuloj pa pasur të dhëna ekzakte. Personalisht mua, që kam qenë pjesë e administratës, këto zyra më kanë bllokuar minimumin jetik.

Dua që kësaj gjëje t’i hyj me themel, e gjithë paga më bllokohej në mënyrë absurde, na ka prekur të gjithëve si familje, nuk mund të vazhdonim jetën normalisht, isha në punë dhe nuk merrja rrogë, detyrohesha të bëja një punë të dytë.

Babai e ka pasur të thjeshtë që mund të merrte armën dhe të vriste disa veta, gjendja emocionale e tij ka qenë shumë e ngarkuar, SPAK bëri një reagim dhe tha që e thirrëm po na iku… unë këtë nuk di që ta sqaroj.

Nuk ka pasur asnjë tentativë të mëparshme për ti bërë keq vetes. SPAK-ut ai i ka vajtur me vendimet e gjykatave, në Prill ka marrë një përgjigje nga Prokuroria e Posaçme, dhe i ishte thënë që kallëzimi i tij nuk qëndronte. Këtu duhet të marrësh armën që të quhesh një njeri me karakter të fortë.”