Ditën e sotme (19 maj), prindërit e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi e vizituan djalin e tyre në paraburgimin e Gjykatës Speciale të Hagës. Ata kanë arritur ta ritakojnë djalin e tyre dy vite pasi e kishin takuar më parë në paraburgim.
Haxhi Thaçi, i ati i ish-presidentit u shpreh i lumtur pas takimit me të birin dhe tha se ai nuk e ka vendin aty por në Kosovë. Më tej theksoi se Thaçi dhe ish-luftëtarët e tjerë të UÇK-së, i mungojnë vendit.
“Jemi të lumtun që na u dha rasti me ardhë, me pa djalin tonë, Hashimin. Na ka marrë malli për të. Na merr malli, se jemi mësu me pa shpesh. Na mungon djali. Na mungojnë krejt shokët e tij. I mungojnë vendit, Kosovës. Pa marrë parasysh që u kanë i nxanun me punë të shtetit, Hashimi gjithë ka gjetë kohë edhe ka ardhë me na pa në Burojë. Se na pleq, i kemi ba do vjet, mezi po himë e po dalim në kamë tona. Ishalla nuk shkon gat e kthehen tanë, jo veç djali jonë, po krejt këta shokët këtu, kthehen n’shpi të veta, qaty ku kanë punu shumë për qat Kosovë mu ba e lirë e shtet i pamvarun. I presim na familja me u kthy sa ma shpejt, i pret krejt shqiptaria. Ata e kanë venin n’Kosovë e jo këtu”, tha Haxhi Thaçi.
Ndërkohë, ish-presidenti Hashim Thaçi ka hyrë tashmë në vitin e katërt të qëndrimit në qelitë e paraburgimit në Hagë. Në nëntor të vitit 2023, ai së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin u dërguan në Hagë nën hetimin për veprime të paligjshme të kryera gjatë luftës së Kosovës.