Çështja ndaj ish kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro ka kaluar për gjykim këtë të premte.
Ish-kryebashkiaku i Himarës u arrestua për shpërdorim detyre, kryer në bashkëpunim në lidhje me tjetërsimin e një sipërfaqeje toke, që gjendet në fshatin Gjilekë të Dhërmiut, të cilën Gjykata e Posaçme e ka nën sekuestro.
Sipas SPAK, Goro, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Himarës, pa bërë asnjë verifikim konkret, sipas asaj që parashikon ligji, ka përcjellë pranë organeve kompetente dokumente tërësisht të falsifikuara, duke bërë të mundur më tej regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 metra katrorë tokë bujqësore në pronësi shtet, në favor të subjektit privat.
Goro dyshohet gjithashtu se ka realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqeje toke bujqësore, prej 5080 metra katrorë, duke ia mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësinë e shtetit.
Ka dyshime se Jorgo Goro në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë ka shpërdoruar detyrën në të dy rastet, me përfitues fundor të truallit biznesmenin Artan Gaçi.
Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAKU-t vuri në prill të këtij viti nën sekuestro 5 mijë e 80 metra katrorë, pronë e tjetërsuar në fshatin Gjilek në Dhërmi të Himarës.
Kjo sipërfaqe toke ishte zhvendosur si pronë afër territorit të një trualli shtet për t’ju bashkuar një tjetër prone të sekuestruar në tetor të vitit të shkuar prej 5512 metrash katrorë.
Të dyja pronat i janë dhënë në pronësi qytetarit nga Himara Stavri Mëhilli të shpallur në kërkim edhe nga SPAK, ndërsa u bë arrestimi i kryebashkiakut në detyrë të Himarës, Jorgo Goro.
I gjithë trualli prej 10 mijë e 592 metrash katrorë sipas SPAK që rezultonte në pronësi të Stavri Mëhillit iu shit për 12.6 milionë lekëve investitorit strategjik Artan Gaci, për të ndërtuar një kompleks turistik. SPAK po heton pasi ka dyshime se Jorgo Goro në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë ka shpërdoruar detyrën në të dy rastet, me përfitues fundor të truallit biznesmenin Artan Gaçi.
Sipas njoftimit zyrtar të GJKKO, bëhet me dije se Prokuroria e Posaçme nga hetimi paraprak i kryer në kuadër të këtij procedimi penal ka rezultuar se, persona të cilët tashmë kanë pozitën procedurale të shtetasve nën hetim, kanë realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5 080 m2, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.
Shtetasit nën hetim kanë tejkaluar të gjitha kompetencat që ligji i njeh, duke u shprehur për ekzistencën e një mbivendosje pasurish të paluajtshme në terren dhe më pas duke konfirmuar një plan vendosje, e cila nuk i korrespondon rrethanave faktike në terren.
Kjo planvendosje ka shërbyer jo vetëm për transaksionet e mëpasshme ndërmjet subjekteve të ndryshëm por edhe për zhvillimin e pronës, përfshirë këtu pajisjen me leje ndërtimi për një kompleks turistik në emër të një shoqërie tregtare, i cili do të ndërtohet mbi këtë sipërfaqe toke, por edhe mbi atë prej 5 512 m2 të sekuestruar më parë nga Prokuroria e Posaçme.
E gjithë sipërfaqja e tokës bujqësore prej 10 592 m2, e cila i është nënshtruar procedurave të sekuestros preventive në dy faza, është në fakt pronësi shtet dhe rezulton të jetë tjetërsuar e më pas zhvilluar nga një subjekt privat.