Bota

I akuzuar për marrje ryshfeti, fillon gjyqi për korrupsion ndaj senatorit amerikan Bob Menendez!

Senatori demokrat Bob Menendez, u paraqit në gjykatën federale të hënën në Manhatan, i akuzuar për marrje ryshfeti në para të thata dhe ar, për të ushtruar ndikimin e tij në favor të tre sipërmarrësve nga Nju Xhersi. Senatori 70-vjeçar u ul përkrah avokatëve të tij dhe dëgjoi gjykatësin Sidney H. Stein që u shpjegonte akuzat ndaj tij anëtarëve të mundshëm të jurisë. Gjykatësi tha se:

Senatori nga shteti i Nju Xhersit akuzohet për konspiracion për të marrë rryshfet.

Pasi i paralajmëroi kandidatët për anëtarë të jurisë se gjyqi pritet të zgjasë për disa javë, gjykatësi Stein u dha atyre mundësinë të ngrinin dorën nëse mendonin se nuk do të mund të shërbenin për këtë periudhë të zgjatur kohore. Në vazhdim, ai bisedoi me secilin prej tyre më vete në një dhomë të ndarë, për t’i pyetur më tej rreth arsyeve që ata kishin.

Senatori Menendez, i veshur me kostum dhe kravatë të kuqe, zbriti nga makina përpara godinës së gjykatës federale të Manhatanit në orën 8:15 të mëngjesit, dyzet minuta përpara se autokolona e ish-presidentit Donald Trump të mbërrinte në godinën e gjykatës së shtetit të Nju Jorkut, në anën tjetër të rrugës.

Zoti Menendez nuk foli me gazetarët ndërsa hyri brenda godinës së gjykatës.

Senatori merr pjesë në këtë proces gjyqësor së bashku me dy sipërmarrës që akuzohen se i dhanë atij rryshfete, Fred Daibes dhe Wael Hana. Të tre të akuzuarit kanë deklaruar se janë të pafajshëm për akuzat. Një sipërmarrës i tretë ka pranuar fajësinë dhe ka rënë dakort të dëshmojë ndaj të tjerëve. Akuza janë ngritur edhe ndaj bashkëshortes së senatorit, por gjyqi për të është shtyrë deri për të paktën në muajin korrik.

Deklaratat fillestare të palëve pritej të bëheshin pas të martës, në këtë proces gjyqësor që ka tronditur tashmë të ardhmen politike të senatorit. Pasi u bënë të ditura akuzat në shtator, ai u detyrua të largohej nga posti i fuqishëm i kryetarit të Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.

I zgjedhur senator prej tre mandatesh, zoti Menendez ka njoftuar se:

Nuk do të jem sërish kandidat i Partisë Demokrate në zgjedhjet që mbahen këtë vjeshtë, megjithëse nuk kam përjashtuar kandidimin si i pavarur.