Celebrities Gossip Showbiz

I admirueshëm gjesti i aktorit Daniel Craig për të prekurit nga tërmeti në Turqi e Siri!

Së fundmi aktori i njohur britanik Daniel Craig ka mbledhur më shumë se 120 milionë dollarë për të prekurit nga tërmeti në Turqi. Pas lëkundjeve të fuqishme në Kahramanmaraş, shume emra të njohur të showbiz-it dhe jo vetëm morën iniciativa për t’i ardhur në ndihmë Turqisë dhe Sirisë. Një prej tyre ishte edhe aktori i njohur, i cili njihet edhe si Agjenti 007.

Craig bëri një video-konferencë me anë të së cilës u bënte thirrje qytetarëve dhe fansave të tij që të dhuronin para për viktimat e tërmetit shkatërrimtar të 6 shkurtit. Videoja u transmetua në shumë kanale televizive në Britaninë e Madhe. Falë nismës që mblodhi së bashku 15 organizata bamirësie në Angli, shuma e donacioneve të mbledhura i kaloi 120 milionë dollarët.

Rikujtojmë, se ylli i dha lamtumirën rolit në “No Time To Die” të vitit 2021. Craig u nderua së fundmi nga Princesha Mbretërore në Kështjellën Windsor në njohje të kontributit të tij të jashtëzakonshëm në film dhe teatër. Ndërkaq, ka kaluar shifrën 50 mijë numri i viktimave të tërmeteve në zonën mes Turqisë e Sirisë, ndërsa ai më shkatërrimtari ishte i orëve të para të mëngjesit të 6 shkurtit, me magnitudë 7.8 Rihter.

Më tepër se 44 mijë e 200 vetë humbën jetën në shtetin turk e rreth 6 mijë, në territorin sirian që për nga kontrolli ndahet mes regjimit të presidentit Bashar al-Assad dhe rebelëve opozitarë. Në rreth tre javë, në zonë janë regjistruar më tepër se 9 mijë pasgoditje, çka pritet të vazhdojnë. Sipas ekspertëve, energjia e grumbulluar është e madhe dhe kërkon kohë të çlirohet. Në të tilla raste, sizmologët përmendin fenomenin e njohur si “epidemi sizmike”. Vështirë të bëhen parashikime për kohën e përfundimit të saj, që në disa raste mund të kërkojë shumë vite.