Sport

Hysaj në tribunë, por i paguar

Elseid Hysaj dhe Lacio mbeten në pritje të ofertave që mund të vijnë nga skuadrat e kampionateve ku merkato e futbollistëve është ende e hapur.

I përjashtuar nga lista e lojtarëve të Lazios në Serie A, në këtë situatë, Hysaj përfundon në tribuna. Mbrojtësi kuqezi nuk arriti të gjente dot një skuadër për sezonin e ri dhe sipas mediave italiane, klubi kryeqytetas ka vendosur që gjithsesi, të paguajë lojtarin, edhe pse ka një rrogë prej 2.8 milionë euro në sezon.

Merkato është e hapur ende në vende si Turqia (edhe për 11 ditë), Katari, Polonia dhe Zvicra (edhe për 7 ditë), ndaj ka ende shanse që Hysaj të veshë një fanelë të re këtë sezon.

Për herë të parë pas disa vitesh qëndrimi në Serie A, Hysaj gjendet në një pozicion aspak të mirë. Lazio nuk e sheh futbollistin si pjesë të domosdoshme të grupit, edhe pse bëhet fjalë për një mbrojtës me më shumë se 100 ndeshje në Serie A.