Aktualitet

Hyn në fuqi kalimi online, mbyllen sportelet e shërbimeve publike!

Në vendin tonë sot fillon ajo që katër ditë më parë, nga kryeministri Rama u cilësua si “nisja e epokës së re të shërbimeve pa sportele”, duke folur në aktivitetin informues të mbylljes së sporteleve të shërbimeve publike dhe kalimin e tyre online.

Ky është një stacion historik i Revolucionit Digjital ku mbarojnë radhët, zvarritjet dhe bakshishet e një epoke që ka mbërritur në hapat e saj të fundit. Ky është një ndryshim kolosal që është edhe e bukura e kohës që jetojmë, koha e teknologjisë dhe digjitalizimit. Në një epokë tjetër do të ishim të detyruar t’i hidhnim hapat gradualisht, por kjo kohë të jep mundësinë t’i hedhësh hapat në mënyrë eksponenciale. Mund të kapërcesh vite të tëra në një vit të vetëm.

Kryeministri theksoi se “nga 1 maji nuk ka më letra e sportele, shërbim me kontakt fizik për 95% të shërbimeve”.

Të jeni të sigurtë që kjo do të funksionojë, edhe pse në fillim mund të ketë disa ngërçe e shqetësime. Do të ketë njerëz që nuk do të mund ta dinë si e qysh mund ta marrin shërbimin, por nevoja do t’i bëjë që ta mësojnë. Kur me aplikimet digjitale të Fondit të Mbështetjes për Bujqësinë ne kemi shumëfishuar me shumë herë aplikimet nga fermerët që nga zonat më pranë qyteteve deri në skajet më të largëta, nuk ka nevojë për shembull tjetër. Fermerë edhe nga zona shumë të largëta e gjejnë rrugën dhe mundësinë për të aplikuar.

Dokumentet që nga zyrat e gjendjes civile tashmë ofrohen online:

1. Certifikatë personale prej 2010 e në vazhdim

2. Certifikatë  familjare aktuale prej 2010 e në vazhdim

3. Certifikatë nga akti i lindjes prej 2010 e në vazhdim

4. Certifikatë nga akti i martesës prej 2010 e në vazhdim

5. Certifikatë nga akti i vdekjes prej 2010 e në vazhdim

6. Deklarim i adresës së shtetasve shqiptare që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë

7. Aplikim për ndryshim/saktësim vendbanimi

8. Kërkimi i qendrës së votimit (QV)