Aktualitet

Hyn në fuqi Harta e re Gjyqësore, një gjykatë Apeli në Tiranë!

Nga dita e sotme, në vendin tonë hyn në fuqi harta e re gjyqësore, teksa me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka nisur mbyllja e gjykatave të Apelit në rrethe. Gjykatat e Apelit në Durrës, Gjirokastër, Korçë, Shkodër dhe në Vlorë kanë ndërprerë veprimtarinë e tyre një ditë më parë, teksa tashmë do të jetë vetëm një Gjykatë Apeli në Tiranë. Në rrethe do të mbeten të hapura zyra informacioni për qytetarët, ku do të mund të depozitohen vetëm kërkesat.

Të gjitha çështjet gjyqësore të cilat nuk kanë përfunduar do të transferohen në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm e duhet të rindahen me short elektronik, ku do të përcaktohet gjyqtari që pritet t’i shqyrtojë. Ndërkohë, çështjet gjyqësore të transferuara, për të cilat ka filluar apo është planifikuar shqyrtimi gjyqësor në Gjykatat e Apelit Tiranë, Durrës, Gjirokastër, Korçë, Shkodër dhe Vlorë, nuk do t’i nënshtrohen rindarjes me short, por do të vijojnë të shqyrtohen nga të njëjtët gjyqtarë. Ndërkohë, gjykatat e shkallës së parë do të mbyllen më 1 maj të po këtij viti.

Harta e re gjyqësore do të funksionojë me 16 gjykata në total, 12 të Shkallës së Parë, një Gjykatë Apeli dhe dy gjykata Administrative. KLGJ shkriu 18 gjykata, duke reduktuar ato të Apelit në një të vetme në Tiranë, si edhe duke hequr pesë gjykatat Administrative që do jenë në vetëm dy, një në kryeqytet e një në qytetin e Lushnjes. Këshilli ka lënë vetëm 12 gjykata të Shkallës së Parë nga 22 që ishin.

Kundër saj dolën Shoqatat e Avokatëve në rrethe, të cilët për disa javë bojkotuan seancat gjyqësore, duke argumentuar se harta e re gjyqësore largonte qytetarët nga e drejta për të marrë shërbimin gjyqësor. Një ditë më parë, kreu i Dhomës së Avokatisë Shkodër kundërshtoi këtë model dhe tashmë reagimi kundër kësaj harte do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese.