Bota

Hungaria, sistem për mbrojtjen ajrore pranë kufirit me Ukrainën!

Hungaria do të vendosë një sistem për mbrojtjen ajrore në pjesën verilindore të vendit dhe kjo për shkak se rreziku i përshkallëzimit të luftës mes Ukrainës dhe Rusisë është “më i madh se asnjëherë më parë”, siç vuri në dukje ministri hungarez i Mbrojtjes, Kristof Szalay-Bobrovniczky.

Siç tashmë është bërë e njohur, dy ditë më parë, presidenti rus Vladimir Putin e uli pragun për kryerjen e sulmit bërthamor si përgjigje ndaj ndonjë goditjeje me armë konvencionale ndaj Rusisë, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë leje Ukrainës të hedhë raketa amerikane thellë brenda Rusisë, vendim për të cilin u menduan gjatë e kanë hezituar.

Raketat amerikane me rreze të gjatë, ATACMS, për herë të parë, Ukraina i përdori para dy ditëve. Moska reagoi dhe e cilësoi këtë si një përshkallëzim të madh.

Ne ende besojmë se do të ketë paqe sa më të shpejtë, përmes diplomacisë e jo përmes luftës, u shpreh Kristof Szalay-Bobrovniczky, në një video të postuar në Facebook, dje në mbrëmje.

Megjithatë, për t’u përgatitur mbi të gjitha mundësitë, unë kam urdhëruar që në verilindje të vendit, të vendosen sisteme për mbrojtjen dhe kontrollin ajror, që i kemi blerë kohët e fundit, u shpreh ai pas një takimi me Këshillin e Mbrojtjes, i cili u mblodh nga kryeministri hungarez Viktor Orban, për të biseduar për zhvillimet që kanë të bëjnë me Ukrainën.

Rreziku për përshkallëzimin e luftës Ukrainë-Rusi është më i madh se kurrë më parë, vuri në dukje ministri hungarez i Mbrojtjes.

Hungaria, vend anëtar i NATO-s dhe i Bashkimit Europian, kufizohet me Ukrainën. Nga ana tjetër, ministri nuk tregoi me hollësi se cilat pjesë të sistemit për mbrojtjen ajrore të Hungarisë do të vendosen në verilindje.

Ushtria e Hungarisë, që iu nënshtrua një programi modernizimi, bleu sisteme për mbrojtjen ajrore, Mistral, nga Franca, vitin e kaluar. Më herët, në vitin 2020, Hungaria ra dakord që të blejë sisteme për mbrojtjen ajrore, NASAMS, nga prodhuesit amerikanë dhe ata norvegjezë. Ministri u shpreh se disa njësi të ushtrisë hungareze janë në gatishmëri të lartë.