Bota

Hungaria me prioritet emigracionin gjatë presidencës së BE-së!

Në pjesën e dytë të vitit është Hungaria që merr presidencën e radhës së Bashkimit Europian, nga 1 korriku e deri më 31 dhjetor 2024 dhe kryeministri i vendit ka plane. Mediave gjermane, Viktor Orban iu tha se çështjen e emigracionit, ai dëshiron që ta kthejë në temë kyçe kur Budapesti zyrtar të jetë në krye të BE-së, në kryesimin gjashtëmujor sipas rotacionit.

Për grupin medial Funke, shefi i qeverisë hungareze vuri në dukje se mirëpret pozicionin e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, i cili aktualisht është duke analizuar mënyra se si mund të kryhen procedurat e azilit prej vendeve jashtë bllokut europian.

Aktualisht, presidencën e Unionit e ka Belgjika e do ta mbajë edhe një javë para se t’ia dorëzojë Hungarisë në fillim të muajit të ardhshëm.

Po ashtu, Viktor Orban tha se Hungaria është duke zbatuar një politikë që aplikimet për azil të vlerësohen në shtetet e treta e si shembull përmendi ambasadën hungareze në kryeqytetin serb Beograd, para se aplikuesve t’iu jepet drita e gjelbër për të hyrë në territorin hungarez.

Më herët këtë muaj, Gjykata Europiane e Drejtësisë e urdhëroi Hungarinë që të paguajë gjobë prej 200 milion eurosh dhe një shtesë me vlerë 1 milion euro në ditë, nëse nuk zbaton vendimin për t’i ndryshuar politikat në lidhje me azilin.

Gjoba u vu për shkak të një vendimi të gjykatës, të dhjetorit të vitit 2020 dhe që e ka udhëruar Budapestin të ndërrojë procedurat për të garantuar mbrojtje ndërkombëtare e kthim të shtetasve të vendeve të botës së tretë.

Presidenca e BE-së është në pozita mjaft burokratike e përfshin krijimin e axhendave, si dhe zhvillimin e diskutimeve rreth një vendimi që kryesisht ka të bëjë me gjetjen e një kompromisi mes vendeve të bllokut europian, në rastet kur mungon konsensusi i qartë.

Hungaria është zotuar se do të jetë ndërmjetësuese e drejtë, ndonëse Budapesti zyrtar nuk ka marrëdhënie aq të mira me institucionet e Unionit, për shkak të çështjeve të lidhura me sundimin e ligjit, si dhe korrupsionin.