Bota

Hungarezët në protestë kundër televizionit publik!

Mijëra hungarezë u mblodhën para godinës së televizionit shtetëror të vendit, për të protestuar kundër asaj që e quajnë “Makina e propagandës” e qeverisë dhe bënë thirrje për një shërbim publik të pavarur të medias. Protestuesit e partisë opozitare TISZA, thonë se televizioni shtetëror MTVA bën propagandë të njëanshme, duke iu dhënë kohë televizive vetëm politikanëve nga partia dhe qeveria e kryeministrit Viktor Orban. Po ashtu, analistëve që i bëjnë jehonë linjës së tyre.

Forca politike e qendrës së djathtë TISZA, e drejtuar nga Peter Magyar, një figurë e re në politikën e Hungarisë, po paraqet sfidën më të madhe për nacionalistin e krahut të djathtë Orban që kur ai mori pushtetin në vitin 2010, pra 14 vjet më parë.

Mijëra mbështetës të TISZA-s u mblodhën në kryeqytetin Budapest me flamuj kombëtarë e pankarta ku shkruhej “Stop Propagandës”, si dhe duke thirrur në kor: “Nuk kemi frikë” e “Eshtë mbushur kupa”. Këtë e bënë në tubimin e fundit masiv të thirrur nga kryetari Magyar, i cili turmës së mbledhur i tha:

Mjaft me keqdashje, gënjeshtra, propagandë, durimi ynë është sosur. Televizioni Publik që kemi sot në Hungari është një skandal global. Mjaft!

Magyar kërkoi që TV publik ta transmetonte protestën pa ndërhyrje në video. TISZA, një akronim hungarisht i emrit të partisë “Respekt dhe Liri” ka 39% mbështetje mes votuesve, krahasuar me 43% të asaj Fidesz të Orbanit, sipas një sondazhi të muajit të kaluar. Zgjedhjet e ardhshme janë planifikuar në fillim të vitit 2026.

Duke shfrytëzuar zhgënjimin në rritje të votuesve me Orbanin, në një kohë kur ekonomia po del nga një krizë inflacioni, Magyar ka premtuar të çrrënjosë korrupsionin, të rindërtojë mediat publike e të rivendosë kontrollet dhe balancat demokratike, për të cilat kritikët thonë se janë tkurrur gjatë qeverisjes së kryeministrit Orban.

Kryesisht, media publike shërben si një zëdhënëse e qeverisë, por edhe media private kontrollohet më së shumti nga aleatët e Fidesz-it po të Orbanit. Qeveria mohon cënimin e lirisë së shtypit. Raportuesja e Posaçme e OKB-së për Lirinë e Mendimit dhe të Shprehjes, Irene Khan, vlerëson se Hungaria ka “një mjedis mediatik jo të shëndetshëm ku pluralizmi, diversiteti dhe pavarësia e mediave vihen në pikëpyetje”.