Kryeministri belg, Alexander De Croo njoftoi dorëheqjen pas humbjes së rëndë në zgjedhjet europiane. Aktualisht, De Croo do ta paraqesë dorëheqjen te mbreti Philippe, i cili ka fuqinë edhe që ta refuzojë, mbi bazën e gjykimit të tij. De Croo reagoi kështu pas humbjes së partisë së tij Liberale dhe Demokrate Flamande (Open VLD) në zgjedhjet për PE-në të mbajtura nga data 6 e deri më 9 qershor 2024 në 27 vende të Unionit.
Për ne, është një mbrëmje veçanërisht e vështirë. Ne humbëm. Që nga e hëna (10 qershor), unë do të jap dorëheqjen si kryeministër, u shpreh kryeministri belg De Croo, dukshëm i emocionuar kur mbrëmë vonë mbajti një fjalim para mbështetësve.
Megjithëse pritej të mbetej pas partive nacionaliste dhe të ekstremit të djathtë në Flanders, Open VLD ka pësuar rënien e saj më të madhe në zonën elektorale të De Croo-s në Flandrën Lindore, ku lista e tij shkoi nga 17,85% në vitin 2019, në 10% këtë herë e më pak se 7% në përgjithësi.
Pavarësisht sondazheve që parashikonin se partia e ekstremit të djathtë, Vlaams Belang e njohur si subjekt kundër emigracionit do të bëhej forca kryesore politike në vendin me 11,5 milion banorë, Aleanca e Re Flamande e krahut të djathtë (N-VA) ruajti vendin e parë, me një rezultat të pritshëm prej 22% të votave, referuar rezultateve të përkohshme të siguruara nga Ministria e Brendshme.
Rezultatet paraprake tregojnë se partitë e qendrës, liberale dhe socialiste do të ruajnë shumicën në Parlamentin Europian, por fitorja e së djathtës ekstreme iu dha goditje të brendshme udhëheqësve të disa vendeve, përfshirë Francës dhe Gjermanisë. Zgjedhjet u mbajtën nga data 6 deri më 9 qershor në të 27 vendet e Bashkimit Europian.
Qendra po mbahet, por gjithashtu është e vërtetë se ekstremet në të majtë dhe në të djathtë kanë fituar mbështetje, tha presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Dhe kjo është arsyeja përse rezultati vjen me përgjegjësi të madhe për partitë e qendrës, shtoi von der Leyen, e cila synon rizgjedhjen. Shumicën në Parlamentin Europian, i cili ka 720 vende, pritet ta formojë sërish Partia Popullore Europiane, me 184 prej tyre.