Aktualitet

Humbi jetën në Sarandë, nuk përjashtohet pista e atentatit me tritol!

U identifikua personi, i cili mbrëmjen vonë të së hënës, 24 qershor, ndërroi jetë gjatë një shpërthimi në portin e qytetit të Sarandës. Viktimë mbeti shtetasi Armandi Nelaj nga Saranda, i cili sot në orën 17:00 përcillet për në banesën e fundit.

Mësohet se 52-vjeçari ishte pronar i një kompanie me makineri të rënda për gërmime, si dhe transport inertesh. Fillimisht u dyshua se humbi jetën pas shpërthimit të bombolës së oksigjenit teksa po zhytej në det, por nuk përjashtohet mundësia që t’i jetë bërë atentat me tritol.

Nga grupi hetimor ka dyshime se eksplozivi mund të ishte vendosur në mjetin lundrues ku gjendej Nelaj. Këto dyshime lindën pasi gjatë kontrollit në ujëra nga polumbarët, u gjetën copëza metalike që mendohet se i përkasin mjetit në të cilin ndodhej viktima, por nga policia, ende nuk është konfirmuar zyrtarisht pista e atentatit. Me vazhdimin e hetimeve pritet të hidhet më shumë dritë rreth ngjarjes. Policia thotë se pret ekspertizën.