Bota

Huaja për Ukrainën, detajet/Moska e zemëruar!

Udhëheqësit e G7-ës ranë dakord t’i japin hua Ukrainës 50 miliardë dollarë të krijuara nga asetet e ngrira të shtetit ruse, në ditën e parë të një samiti ku Amerika firmosi një marrëveshje sigurie 10-vjeçare me Kievin, për të siguruar që vendi të mund të vazhdojë të mbrohet nga Rusia. Presidenti amerikan, Joe Biden përshëndeti hapat e ndërmarrë, si një shenjë se presidenti rus Vladimir Putin nuk mund t’i ndajë.

Ju nuk mund të na ndani dhe ne do të jemi me Ukrainën, tha Biden gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Vërejtjet erdhën pasi ai dhe Zelensky nënshkruan marrëveshje afatgjatë që përcakton marrëdhëniet e sigurisë së Uashingtonit me Kievin, në kuadër të G7-ës, në Italinë jugore. Pesëmbëdhjetë vende të tjera, tashmë kanë përfunduar marrëveshje të ngjashme afatgjata sigurie me Kievin, duke përfshirë Britaninë, Francën dhe Gjermaninë.

Marrëveshja rregullon gjerësisht bashkëpunimin mes dy vendeve në të gjitha nivelet e mundshme, përfshirë pajisjet ushtarake, stërvitjen e manovrat. Në të njëjtën kohë, Ukrainës i kërkohet të zbatojë reforma të ndryshme në fushën e drejtësisë, zbatimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit, por edhe në kapacitetet e strukturat ushtarake për të arritur standardet e NATO-s në të ardhmen.

Pakti i SHBA-ve nuk përfshin dislokime apo armë specifike

Siç pritej, marrëveshja nuk përmban asnjë angazhim për të vendosur forcat e armatosura amerikane për mbrojtjen e Ukrainës. Biden e ka përjashtuar kategorikisht këtë, pavarësisht apeleve të fundit nga presidenti francez Emmanuel Macron për të dërguar ushtarakë atje.

Uashingtoni thotë se më tepër, qëllimi është t’i mundësojë Ukrainës të vazhdojë të mbrohet. Marrëveshja nuk premton për furnizimin e sistemeve specifike të armëve. Por, Biden ngriti shpresat e Ukrainës se së shpejti mund të marrë sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore “Patriot” nga aleatët perëndimorë, duke thënë se pesë vende kishin marrë angazhime për bateritë “Patriot” dhe sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore.

Uashingtoni i ka ofruar Kievit një nga sistemet e avancuara të mbrojtjes ajrore dhe thuhet se mund të premtojë një të dytë në ditët në vijim, megjithëse qeveria nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë. Rusia pushtoi Ukrainën në fund të shkurtit 2022 dhe që atëherë ka zhvilluar një luftë agresioni në shkallë të gjerë kundër vendit fqinj.

Amerika është aleati më i rëndësishëm i Kievit në fushatën e mbrojtjes. Të dyja palët kishin kohë që po negocionin marrëveshjen dypalëshe të sigurisë.

G7 premton 50 miliardë dollarë kredi nga asetet e ngrira ruse

Më herët, samiti në Italinë jugore filloi me një marrëveshje për t’i dhënë Ukrainës 50 miliardë dollarë hua duke përdorur interesin e krijuar nga asetet e ngrira të shtetit rus, në një shfaqje të madhe mbështetjeje për Kievin. Ukraina do të përdorë paratë për të forcuar mbrojtjen e saj, për të paguar për rindërtimin e infrastrukturës e financuar Buxhetin e Shtetit.

Planifikimi për strukturën e paketës së kredisë ka nisur prej disa kohësh. Fillimisht, Amerika ka bërë fushatë në favor të mbledhjes, jo vetëm të të ardhurave nga interesi, por edhe vetë aseteve të ngrira dhe përdorimit të tyre për të ofruar mbështetje financiare për Kievin.

Qeveria amerikane thotë se rreth 280 miliardë dollarë para të Bankës Qendrore ruse janë bllokuar në vendet perëndimore për shkak të sanksioneve të vendosura që kur Rusia filloi sulmin e saj në shkallë të plotë ndaj Ukrainës, më shumë se dy vjet më parë. Pjesa më e madhe e parave ruse është brenda Bashkimit Europian.

Institucioni financiar me bazë në Bruksel, Euroclear, deri tani zotëruesi më i madh në BE i aktiveve të ngrira të bankës qendrore ruse ka deklarua se ka mbledhur rreth 4,4 miliardë euro (4,7 miliardë dollarë) në interes në vitin 2023.

Por, disa vende europiane kishin rezerva të mëdha për përdorimin e parimit dhe interesit, duke rezultuar në kompromisin në të cilin interesi përdoret si kolateral për të shlyer kredinë. SHBA-të do të ndërhyjnë në rast se politika ndryshon tablonë e kredisë.

Një çështje e mprehtë është se kush do të bartte rreziqet e kreditit nëse sanksionet e BE-së mbi asetet nuk mund të zgjateshin, për shembull për shkak të vetos së një shteti anëtar. Kjo do të thotë se interesi nuk mund të përdoret më për të shlyer kredinë.

Dje, Amerika deklaroi gatishmërinë për të mbajtur barrën kryesore të huasë shumëmiliardë dollarëshe. SHBA-të janë gati të japin deri në 50 miliardë dollarë ose shumën totale të kredisë për Kievin.

Por, një zyrtar amerikan theksoi se “nuk do të jenë të vetmit huadhënës”, duke shtuar se do të marrin pjesë dhe të tjerë.

Moska e zemëruar me huanë për Ukrainën, të cilën e kritikoi.

Përdorimi i fondeve të vjedhura nga Rusia për aventurat luftarake të regjimit të Kievit është kriminal dhe cinik dhe paraqet një goditje të mëtejshme ndaj ligjit ndërkombëtar, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Ruse, Maria Zakharova në një konferencë për shtyp.

Po ashtu, kërcënoi kur theksoi se reagimi rus do të ishte i dhimbshëm për Brukselin.