Organizata për të drejtat e Njeriut, Human Rights Watch (HRW), shpreh shqetësim duke deklaruar se “urdhrat e vazhdueshëm të Izraelit për evakuimin e banorëve në Gaza përbëjnë krim lufte të transferimit me forcë dhe spastrim etnik në pjesët e territorit palestinez”.
HRW ka të dhëna të shumta se zyrtarët izraelitë po kryejnë krimin e luftës për transferimin me forcë. Po ashtu, duket se veprimet e Izraelit përputhen me përkufizimin e spastrimit etnik në zonat ku palestinezët nuk do të mund të kthehen.
Përfaqësuesja e HRW-së, Nadia Harman deklaroi se gjetjet e raportit 172 faqesh bazohen në intervista me banorët e zhvendosur të Gazës, në imazhe satelitore, si dhe raportimet publike deri në gusht të këtij viti. Edhe pse Izraeli ka thënë se zhvendosja justifikohet me sigurinë e civilëve apo për shkak të nevojave ushtarake, Hardman theksoi:
Izraeli thjesht nuk mund të varet nga prania e grupeve të armatosura për të justifikuar zhvendosjen e civilëve. Izraeli duhet të dëshmojë në çdo rast se zhvendosja e civilëve ishte opsioni i vetëm, për të respektuar plotësisht ligjin ndërkombëtar humanitar.
Sipas Kombeve të Bashkuara, 1.9 milion palestinezë u zhvendosën në Gaza deri në tetor 2024. Para se të niste lufta në tetor të vitit të kaluar, numri i përgjithshëm i popullsisë në Gazë ishte 2.3 milion banorë. Lufta në Gazë filloi kur Hamasi, grupi palestinez i shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian sulmoi Izraelin duke vrarë rreth 1.200 persona e rrëmbyer afro 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në enklavën palestineze janë vrarë më shumë se 43.000 palestinezë.
Ta bësh në mënyrë sistematike pjesën më të madhe të Gazës të pabanueshme … në disa raste përgjithmonë… përbën spastrim etnik, tha Ahmed Benchemsi, zëdhënës i divizionit për Lindjen e Mesme i HRW-së.
Në raportin e HRW-së përmenden në veçanti korridoret Filadelfi e Netzarim, që kalojnë përgjatë kufirit egjiptian dhe e ndajnë Gazën përgjatë boshtit të saj lindje-perëndim, korridore që, sipas HRW-së, janë “rrafshuar, zgjeruar dhe pastruar” nga ushtria izraelite për të krijuar zona të sigurta dhe korridore të sigurisë.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, vazhdimisht kërkon që forcat e shtetit hebre të marrin kontrollin afatgjatë të korridorit Filadelfi. Hardman shtoi se trupat izraelite e kanë shndërruar korridorin Netzarim, që gjendet mes Qytetit të Gazës dhe Uadi Gazës, në një zonë të sigurtë prej 4 kilometrash të gjerë e shumica e ndërtesave janë shkatërruar aty.
Në raportin e HRW-së u tha se “veprimet e autoriteteve izraelite në Gaza janë veprime të një grupi etnik apo fetar për të larguar palestinezët”.