Aktualitet Bota Rajoni

Hovenier: SHBA-ja pret nga Kosova e Serbia ta marrin seriozisht dialogun!

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të mërkurën se Shtetet e Bashkuara presin që Kosova dhe Serbia ta marrin seriozisht dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore, pasi ka pasur ngecje në vitin e fundit.

Duke folur në Samitin për Paqe dhe Demokraci në Prishtinë, Hovenier tha se të dyja palët duhet patjetër t’i zbatojnë të gjitha detyrimet e dala nga ky dialog, i cili nisi më 2011 në Bruksel.

“Njohja reciproke mbetet synimi kryesor i Shteteve të Bashkuara sa i përket normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, kjo është mëse e qartë. Ne presim të dyja palët të veprojnë plotësisht në përputhje me të gjitha detyrimet e dala nga dialogu dhe presim që ato ta marrin seriozisht dialogun”, tha Hovenier.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në fillim të vitit 2023, por BE-ja ka thënë se ato nuk kanë bërë hapa për ta zbatuar atë.

Hovenier tha se ajo që nevojitet tani është “serioziteti dhe qëllimi në këtë dialog”.

“Mund ta quani rifillim nga e para, mund ta quani ripërkushtim, mund ta quani qasje e re, mund ta quani qasje më energjetike. Ne kemi nevojë për të, dhe kemi nevojë që ta bëjnë të dyja palët”, shtoi ai.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë udhëtuan në Bruksel më herët këtë muaj, por ata nuk mbajtën takim të përbashkët, për shkak të mospajtimeve rreth temave që do të duhej t’i shtjellonin.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar për herë të fundit më 14 shtator të vitit 2023, për shkak të mospajtimeve të dukshme.

Kosova e akuzon palën serbe se dëshiron vetëm zbatimin e pjesshëm të Marrëveshjes Bazë, ndërsa Serbia e kritikoi palën kosovare se nuk dëshiron ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është pjesë e pajtimit.